Lando Norris e përfundoi Çmimin e Madh të Abu Dhabit në vendin e 3-të, pas Max Verstappen dhe Oscar Piastri, por kjo nuk e pengoi të shpallej kampion bote i Formula 1 për vitin 2025.

Në fund të garës, pikërisht në pistë, britaniku u intervistua nga David Coulthard për F1 TV dhe dha disa deklarata, duke u përpjekur të mbante lotët.


"Nuk kam qarë për një kohë të gjatë. Nuk mendoja se do të qaja, por po. Ka qenë një udhëtim i gjatë. Para së gjithash, dua të falënderoj të gjithë në McLaren, por edhe prindërit e mi. Ata janë ata që më mbështetën që nga fillimi. Ndihem i pabesueshëm!”.

“Tani e di, deri diku, se si ndihet Max. Dua ta përgëzoj atë dhe Oscarin, rivalët e mi këtë sezon! Ishte kënaqësi të luftoja me ta, mësova shumë. Ishte një vit i gjatë dhe jam shumë krenar për të gjithë. Shtyva fort deri në fund, në 2-3 xhirot e fundit e lashë të shkonte".

"Luftova deri në fund, kjo sepse Max dhe Oscar nuk ma bënë jetën më të lehtë. Tani dua ta shijoj momentin. Jo shumë njerëz mund ta përjetojnë atë që po përjetoj unë tani. Jam shumë i lumtur!", deklaroi fillimisht ai.

Më pas, në podium, Norris foli me britanikun Jenson Button, kampion bote në vitin 2009.

“Kam dashur ta bëj këtë ëndërr realitet për 16 vjet. Performancat e mia më të mira erdhën në gjysmën e dytë të sezonit. Atëherë nxora maksimumin nga makina. Sot kam familjen time pranë dhe jam shumë krenar që i kam bërë të lumtur. Ju dua! Faleminderit prindërve të mi që më lejuan të realizoj këtë ëndërr!”, deklaroi ai. /Telegrafi/

telegrafi sport app