Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka konfirmuar se ka votuar pro kandidaturës së Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit të Kosovës, i cili u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e sotme konstituive.

Gashi tha se Basha ia kishte kërkuar votën muaj më parë dhe ai kishte premtuar mbështetje, pavarësisht se nuk kishte pritur që propozimi të ndodhte në seancën e së dielës.


“Ma ka kërku votën, i kam premtu që e votoj… Ma ka kërku para disa muajve, s’e kam pritë që del në votim sot. I kam thënë: votën e ki…”, deklaroi Gashi.

Ai e përshkroi Bashën si një figurë jo polarizuese dhe me potencial për të ndërtuar ura bashkëpunimi në Kuvend.

“Është djalë simpatik dhe mendoj se duhet me mendu përtej. Nuk është shumë polarizues”, shtoi ai.

Megjithatë, përkundër disa votave nga opozita, kandidatura e Bashës nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend. /Telegrafi/