Numri 19 i LDK-së, Ermal Sadiku: Fokus në inovacion, teknologji dhe shtet digjital

Inxhinieri, ndërmarrësi dhe opinionisti Ermal Sadiku garon për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe mban numrin 19 në këtë listë zgjedhore.
Ai e ka cilësuar këtë hap si një rrugëtim të ri politik, të nisur me bindje personale dhe pa “pozita të dhuruara”.
Në një deklaratë, Sadiku tha se vendimi për t’u përfshirë në politikë ka ardhur pas shumë dilemash, veçanërisht për shkak të kohës së shkurtër për prezantim në garë.
Megjithatë, ai theksoi se ka zgjedhur të hyjë në proces zgjedhor si kandidat, e jo përmes një pozite ekzekutive të negociuar paraprakisht.
“Kam pasur mundësi të negocioj një pozitë në ekzekutiv pas zgjedhjeve, por kam vendosur të hyj në garë vetë. Pozitat e dhuruara nuk të japin peshë politike dhe as autoritet për të sjellë ndryshim,” u shpreh Sadiku, duke shtuar se beson se pozitat duhet të merren me meritë dhe përmes garës demokratike.
Sipas tij, angazhimi politik ka një fokus të qartë: zhvillimin e industrisë së teknologjisë dhe shtyrjen përpara të proceseve të digjitalizimit në Kosovë.
Sadiku bëri të ditur se LDK i ka besuar atij rolin për të avancuar këto procese, të cilat, siç tha, prekin drejtpërdrejt jetën e çdo qytetari, biznesi dhe brezi të ri.
Sadiku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, inovacionit dhe përkushtimit ndaj sektorit të teknologjisë si shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.
Ai tha se Kosova ndodhet në një periudhë polarizimi të thellë, por ai beson se shumica e qytetarëve kërkojnë një politikë më të qetë, pa ofendime dhe pa linçime, të bazuar në punë konkrete dhe jo në zhurmë.
“Qytetarët duan përgjigje për të ardhmen: ku do të punojnë, çfarë do të zhvillohet dhe çfarë mundësish do të kenë fëmijët e tyre. Për shumë prej këtyre pyetjeve, përgjigjja gjendet në inovacion dhe teknologji,” tha ai.


































