Endrick e ka nisur në mënyrë sensacionale aventurën e tij te Lyoni, pas huazimit nga Real Madridi, duke realizuar një tregolësh historik në fitoren bindëse 5-2 ndaj Metz në Ligue 1.

Në moshën vetëm 19 vjeç e 188 ditë, talenti brazilian u bë lojtari më i ri në historinë e Lyonit që shënon një hat-trick në kampionatin francez, duke thyer rekordin e Bernard Lacombe (19 vjeç e 196 ditë).


Me këtë arritje, Endrick i bashkohet gjithashtu një grupi elitar sulmuesish të shekullit XXI që kanë realizuar tregolësh në moshë shumë të re, përkrah emrave si Jérémy Ménez, Kylian Mbappé dhe Ousmane Dembélé.

Fitorja e ndihmoi Lyonin të ngjitet në vendin e katërt të tabelës së Ligue 1, ndërsa golat e tjerë të takimit u shënuan nga Ruben Kluivert dhe Tyler Morton.

Që nga mbërritja e tij në dhjetor për pjesën e dytë të sezonit 2025/26, Endrick ka lënë gjurmë të menjëhershme, duke shënuar katër gola në tri paraqitjet e para në të gjitha garat. Kjo është nisja më e mirë për një lojtar të Lyonit që nga Mariano Díaz, i cili realizoi tre gola në të njëjtën periudhë në gusht të vitit 2017.

Sulmuesi 19-vjeçar u bë gjithashtu braziliani i 25-të që shënon në Ligue 1 me fanellën e Lyonit. Përballë Metz, ai regjistroi gjashtë goditje në portë – shifra më e lartë e përbashkët për një lojtar të Lyonit në kampionat që nga sezoni 2006/07, kur Opta nisi mbledhjen e statistikave, duke barazuar rekordin e Alexandre Lacazette kundër Monacos në maj 2016. /Telegrafi/

telegrafi sport app