Basha raporton në Kuvend për dosjet kundër UÇK-së
Lulzim Basha, në pranverë të vitit 2003, ka punuar së bashku me personelin e Tribunalin të Hagës duke grumbulluar të dhëna dhe fakte në Shqipëri për dosjet me akuza kundër UÇK-së. Këto dosje kanë të bëjnë kryesisht me rrëmbimin e shtetasve serbë dhe jo serbë pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë si dhe për çështjen e shumëpërfolur të trafikut të organeve nga Shqipëria.
Përveç Bashës, në Komisionin e Sigurisë do të raportojnë edhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Bahri Shaqiri si dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto. “Unë mendoj e është detyrë e këtij komisioni që të thërrasim në një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura drejtorin e SHISH, Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe Ministrin e Punëve të Jashtme për të na informuar mbi atë që shteti ynë ka dijeni dhe hapat konkretë që janë marrë”, tha nënkryetari i këtij komisioni Ilir Gjoni.
Ministri Haxhinasto do të pyetet edhe për sigurinë e ambasadave. Në një përgjigje drejtuar Kuvendit, botuar në Shekulli kohë më parë pas denoncimit të zhdukjes së një laptopi kriptues shqiptar në New York, Ministria e Jashtme bëri të ditur se përfaqësitë diplomatike nuk kanë as personel sigurie për garantimin e ambienteve dhe as personel teknik për garantimin e informacioneve sekrete, aq më tepër ato që Shqipëria përfiton si vend anëtar i NATO-s. /Telegrafi/


