Ekzekutimi i presidentit të klubit qipriot Karmiotissa – Hetimet për trukime ndeshjesh rikthejnë hijen e errët mbi futbollin qipriot

Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin dhe opinionin publik në Qipro. Biznesmeni dhe presidenti i klubit Karmiotissa, Stavros Demosthenous, është ekzekutuar në një atentat të tipit mafioz më 17 tetor, në qytetin e Limasolit, ku policia po heton edhe pistën e trukimit të ndeshjeve.
Klubi Karmiotissa bën pjesë në nivelin e dytë të futbollit qipriot dhe mban vendin e pestë, ndërsa më herët ky klub ka qenë i hetuar nga UEFA për trukime ndeshjesh. Federata qipriote e kishte gjetur fajtore për trukim, por që në atë kohë Demosthenous, nuk ishte president, pasi mori klubin në zotërim në vitin 2023.
Ti kthehemi ngjarjes. Sipas raportimeve të policisë qipriote, dy persona të armatosur e pritën 49-vjeçarin para banesës së tij dhe hapën zjarr me breshëri plumbash sapo ai doli nga dera. Djali i tij, 18 vjeç, u përpoq ta shpëtonte të atin duke e futur në makinë dhe duke u nisur drejt spitalit, por Demosthenous ndërroi jetë gjatë rrugës.

Gjatë përpjekjes për ta transportuar me shpejtësi, djali humbi kontrollin dhe automjeti u përplas me disa makina në autostradë, gjë që fillimisht shkaktoi konfuzion rreth mënyrës së ekzekutimit. Pak minuta pas ngjarjes, policia gjeti një makinë të djegur në një zonë tjetër të Limasolit, e cila dyshohet se u përdor nga atentatorët për t’u arratisur.
Sipas autoriteteve, sulmi ishte i planifikuar me profesionalizëm, pasi autorët kishin ndjekur lëvizjet e viktimës dhe ishin siguruar për eliminimin e tij përpara se të largoheshin nga vendngjarja. Hetimet po përqendrohen në pistën e lidhjeve me botën e basteve sportive dhe trukimeve të ndeshjeve, pasi klubi Karmiotissa ka qenë më herët nën hetim nga UEFA për dyshime të përsëritura në këtë drejtim.

Në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar tre persona të rinj, të moshës 58, 39 dhe 30 vjeç, të cilët u morën në paraburgim me urdhër të gjykatës. Më herët ishte arrestuar edhe një 44-vjeçar, i cili ndodhet në paraburgim tetëditor.
Edhe pse autoritetet nuk kanë bërë ende publike detajet për rolin e të arrestuarve, ngjarja po trajtohet si një vrasje e porositur, e lidhur me krimin e organizuar dhe interesat e mëdha financiare në futbollin qipriot.
Futbolli qipriot, qerdhe e trukimeve
Ngjarja e rëndë ndodh në një periudhë të tensionuar për futbollin në Qipro, por edhe ngritje, pasi klubi elitar Pafos, këtë sezon luan në Ligën e Kampionëve.
Por ndër vite futbollit qipriot po përballet me akuza për trukime ndeshjesh dhe ndikime të botës së basteve. Federata Qipriote e Futbollit (CFA) ka pranuar se ka marrë 85 “red notices” nga UEFA që nga viti 2011, për dyshime mbi manipulime rezultatesh.

Në vitin 2016, CFA miratoi masa të ashpra ndëshkuese ndaj klubeve të përfshira në trukime – përfshirë gjoba me para, humbje pikësh dhe rënie në kategori. Megjithatë, duket se problemet nuk janë zhdukur.
Sipas një raporti të “World Soccer”, 40.5% e futbollistëve profesionistë në Qipro kanë qenë të vetëdijshëm për oferta për trukime, ndërsa 17.2% kanë pranuar që t’u bëhen oferta të tilla, shpesh të lidhura me vonesat në paga.
Ndërkohë, hetimet për atentatin ndaj Demosthenous po vazhdojnë, me policinë që po përpiqet të zbardhë rrjetin e lidhjeve që mund të kenë çuar në ekzekutimin më të bujshëm në futbollin qipriot vitet e fundit. /Telegrafi/



















































