Ekstradohet nga Shqipëria i dyshuari për kultivim të bimëve kanabis, prokuroria kërkon paraburgim

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit N.Sh., shtetas i Shqipërisë, i dyshuar për kultivimin e 1,259 bimëve narkotike të llojit kanabis sativa.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.Sh., në bashkëkryerje me të pandehurin O.Sh., nga një datë e pavërtetuar deri më 19 qershor 2024, kanë kultivuar kanabis në tri parcela në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.
Parcelat janë lokalizuar përmes vëzhgimit nga ajri me dron, ku janë identifikuar gjithsej 1,259 bimë narkotike.
I pandehuri N.Sh. ka qenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale.
Ai është arrestuar në Shqipëri me urdhër-arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar në Kosovë, ku tashmë Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tij.
Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, rasti kualifikohet si vepër penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, neni 272 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31.


















































