Gara e këtij viti për president në ShBA do të mbahet mend për disa elemente të veçanta. Ajo ka hyrë në historinë e ShBA-së si gara mes dy prej kandidatëve më të vjetër në moshë; do të kujtohet si gara ku njëri nga kandidatët u tërhoq vetëm tre muaj përpara ditës së votimit; do të kujtohet si gara e kthyer nga një reality show që shoqëron zakonisht eventet e tilla politike në ShBA në një skenë krimi për shkak të një atentati të dështuar ndaj njërit sfidues; do të kujtohet si gara ku njëri prej kandidatëve që ka shanse reale të ulet në postin më me influencë jo vetëm për ShBA-në, por edhe në nivel global, ka mbi shpinë të vërtetuara një duzinë veprash penale; do të mbahet mend si gara ku zëvendëspresidentja në detyrë, me një ndër mbështetjet më të ulëta ndër zëvendëspresidentët në historinë e ShBA-së, arrin që brenda një jave ta përmbys këtë opinion në mënyrë të pabesueshme.
Në fakt, zhvillimet politike të javës së fundit në ShBA janë impresionuese. Paraqitja e dobët e presidentit Joe Biden në debatin mes dy kandidatëve, atentati i dështuar ndaj Donald Trumpit, këmbëngulja e Bidenit për të vazhduar garën pavarësisht mosmiratimit të pjesës më të madhe – jo vetëm mes demokratëve, por edhe amerikanëve – bënë që diferenca në sondazhe në mesin e korrikut të shkonte deri në gjashtë përqind në favor të sfiduesit republikan, duke krijuar përshtypjen se gara për Zyrën Ovale tashmë ishte diçka e vendosur me rikthimin e bujshëm të ish-presidentit Trump, duke ia kthyer reston presidentit Biden pas katër vitesh. Prandaj, triumfalizmi dhe euforia ishin shenjat dalluese mes delegatëve republikanë në ditën e konventës kombëtare, kur ish-presidenti Trump u nominua si kandidati i tyre.
Në një situatë gri për demokratët e përçarë dhe me shpresa gjithnjë e më venitura për rezultatin e garës, pas insistimit të figurave më të spikatura brenda partisë, Bideni vendosi të tërhiqet nga gara dhe të miratojë Kamala Harrisin, zëvendësen e tij, si kandidaten demokrate për të garuar për në Shtëpinë e Bardhë në nëntor. Megjithatë, pavarësisht “miratimit” të presidentit Biden, do të jetë konventa demokrate që do të mblidhet në Çikago në mes të gushtit e cila do ta zyrtarizojë kandidaturën. Gjithsesi, performanca e saj brenda pak ditëve ka marrë mbështetjen e pjesës më të madhe të demokratëve, përfshirë figurat e rëndësishme si ish-presidentët Clinton, Obama, apo zonjës Pelosi, si dhe shumë figurave të tjera si guvernatorë të shteteve me peshë, senatorë etj.
Ajo që ndjehet në ajër është fakti se pavarësisht skepticizmit fillestar për zgjedhjen e saj, pavarësisht nënvlerësimit të dukshëm në një terren që konsiderohet si “domen kryesisht i burrave të bardhë”, ajo brenda pak ditëve ka arritur të kthejë entuziazmin dhe kohezionin në radhët e demokratëve. Madje, shumë analistë – duke iu referuar sondazheve të ditëve të fundit – mendojnë se ajo ka shumë mundësi që të zgjidhet presidentja e 47-të e ShBA-së.
Sipas CNN-it, ajo gëzon aktualisht mbështetjen e mbi 95 përqindëshit të anëtarësisë demokrate, duke e kthyer pas pak ditësh nominimin nga konventa në formalitet. Ia doli të mbledh mbi 230 milionë dollarë për fushatën, brenda një jave, nga ku 66 përqind e donatorëve dhurojnë për herë të parë; ia doli të marrë mbështetjen e rreth 170 mijë vullnetarëve të rinj për në fushatë, madje është kthyer edhe në “mbretëreshën” e aplikacionit TikTok me rreth tre milionë ndjekës dhe ku videot dhe memet me të janë bërë aq virale saqë po “thyejnë” rrjetin.
“Efekti Harris” është impresionues, i shpejtë, efektiv gjë që e ka gjetur të papërgatitur kampin republikan i cili qysh në korrik e kishte menduar garën si të përfunduar.
Të gjendur përpara kësaj situate të paparashikuar, nuk vonojnë edhe sulmet e Trumpit dhe zëvëndësit të tij JD Vance. Ish-presidenti e akuzoi fillimisht Harrisi se po shkelte ligjin federal për donacionet për partinë, pasi ato nuk ishin dhënë për të po për presidentin Biden. Në fakt, akuza ra shumë shpejt poshtë teksa fondet në mbështetje të saj filluan të arrijnë vlera të paimagjinueshme, duke thyer rekordin e donacioneve të fushatave të mëparshme për president.
Pas sulmit fillestar për financat, Trumpi dhe Vance kaluan në sulme personale duke ia kujtuar asaj jetën private dhe sesi kish arritur të bënte karrierë politike që nga koha kur kishte qenë prokurore e përgjithshme në shtetin e Kalifornisë.
Sulmet vazhduan më tej teksa Trumpi e quan “si kandidaten më të paaftë”, si përfaqësuesen e ekstremit të majtë në politikë, si ultraliberale, si bashkëfajtore me Bidenin për situatën e vështirë ekonomike që po kalonin amerikanët, si njeriun e ngarkuar për të menaxhuar situatën me emigracionin e paligjshëm në kufirin me Meksikën, por që kish dështuar. Për të Harrisi nuk ka mbështetje popullore. Madje, shkon deri atje saqë e quan edhe bum (budallaqe) apo deri në përdorimin e konceptit të DEI hire që nënkupton se gëzon ato pozicione jo për shkak të aftësive, meritës apo intelektit, por për shkak të politikave federale për ta përfshirë në qeverisje dhe për t’ia dhënë mundësinë edhe njerëzve me ngjyrë – të paaftëve fizikisht, individëve të gjinisë femërore etj. Për Trumpin ajo nuk është kompetente, nuk është e zgjuar dhe është shumë e lehtë për t’u mundur.
Por, në vend që këto akuza personale të ulnin popullaritetin dhe mbështetjen për Harrisin, ato kanë pasur efekt të kundërt. Përmes një fushate spektakolare, të thjeshtë dhe efikase, ajo ia doli të rrisë numrin e mbështetësve të saj, për çdo ditë, sidomos nga moshat e reja – hispanikët, afro-amerikanët, gratë, deri te sindikatat e sipërmarrësit. Në krah të saj kanë dalë edhe artistët si Beyoncé e cila ka lejuar që hiti i saj Freedom të përdoret si kolona zanore në fushatë. Po kështu, hapur për të kanë dalë dhe aktorë të njohur si George Clooney apo Jennifer Aniston.
Ndërkohë, ajo që ka pasur efekt edhe më negativ për fushatën republikane dhe që është vënë në qendër të kritikave nga eksponentë dhe personalitete të njohura nga shumë fusha, është përcaktimi si “mace shterpë” i Harrisit nga ana e krahut të djathtë të Trumpit, JD Vance, duke ngjallur një valë të gjerë reagimesh dhe duke vënë në dyshim, madje brenda vetë republikanëve, aftësinë e tij për të qenë krahu i djathtë i Trumpit. Madje, ka zëra nga eksponentë të rëndësishëm republikanë të cilët kërkojnë që ai të largohet si kandidat për zëvendëspresident, meqë nuk është i aftë për atë pozicion.
Me ndryshimin e situatës gjatë ditëve të fundit, shumë personazhe të njohura politike dhe me reputacion nga republikanët, e kanë këshilluar Trumpin të mos merret me çështje personale, por të bëjë politikë duke u fokusuar tek aktiviteti i Harrisi si prokurore dhe zëvendëspresidente si dhe të rrokte çështjet me rëndësi për votuesit – pa kaluar në deklarata apo qëndrime që mund të komprometonin fushatën. Por, ai ka vazhduar me retorikën e tij kontroverse, teksa në një takim me përfaqësuesit e një grupimi të të krishterëve të ekstremit të djathtë, u kërkoi atyre të “dilnin për ta votuar, sepse në rast se fiton, nuk do të ketë më nevojë për të dalë pas katër viteve në votime”. Kjo deklaratë ka ngjallur reagime të shumta negative në vend, madje edhe mes vetë republikanëve. Gjithsesi, ka vazhduar me këtë logjikë teksa – duke parë rritjen e mbështetjes për sfudesen e tij – deklaron se “demokratët po përgatiten të manipulojnë rezultatin e votimit në nëntor”. Këto akuza, në një vend si ShBA-ja, nuk gjejnë mbështetje te pjesa më e madhe të popullsisë.
Duke e ndier presionin në rritje lidhur me ballafaqimin për çështjet që lidhen me politikën e brendshme, Trumpi po përpiqet ta shpërqendrojë vëmendjen për të “marrë sadopak veten nga tronditja që po kalon” në çështje të politikës ndërkombëtare – një fushë ku ai duket se e ndien veten “ekspert” përballë sfidueses demokrate. Sipas tij, Zonja Harris nuk ka eksperiencën e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për këtë arsye “do të përdoret nga armiqtë e ShBA-së si lodër që ata t’i realizojnë synimet e veta”. Ai vazhdon të insistojë se në rast të rizgjedhjes, “brenda pak ditëve do t’ia japë fundin konflikteve të armatosura në Evropë dhe në Lindjen e Mesme”, ndonëse nuk deklaron se cilat do të jenë opsionet e tij për zgjidhjen e këtyre konflikteve. Po kështu, në takimin e para pak ditëve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trumpi nuk do të ngurronte ta quante Harrisin si politikane e cila “nuk i do hebrenjtë dhe Izraelin”. Ai kërkon mbështetje edhe më të madhe nga komuniteti hebraik në ShBA, duke iu kujtuar se gjatë presidencës së tij “Ambasada amerikane u vendos në Jerusalem” dhe se nuk do të kish “kuptim mbështetja e hebrenjve për Harrisin”.
Ndërkohë, Harrisi vazhdon të shtojë numrin e mbështetësve dhe sipas të dhënave të fundit, distanca me Trumpin në nivel kombëtar ka shkuar nga minus gjashtë përqind në mes të korrikut në vetëm minus një përqind në fund të muajit, ndërsa vihet re një prirje për mbështetje edhe më të madhe në takimet në disa nga shtetet e pavendosura (swing states). Ditën e martë në një takim në Atlantë në shtetin e Gjorgjias, ajo ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga demokratët – në një shtet i cili deri para pak ditëve shihte si favorit Trumpin. Pas tubimit elektoral, Gjorgjia mund të konsiderohet si shtet që pritet të votojë demokratët. Aktualisht në shtatë prej këtyre shteteve, pesë janë për demokratët dhe vetëm dy janë për republikanët (vetëm një javë më parë, pesë prej tyre ishin pro Trumpit). Ndërkohë që vetëm Karolina e Veriut dhe Pensilvania janë ende për republikanët, aty pritet të zhvillohet beteja e ashpër në ditët në vazhdim. Ndër këto dy shtete, sidomos fitorja në Pensilvani mund të jetë ajo që mund të rezultojë vendimtare për rezultatin përfundimtar të garës. Nisur nga rëndësia e fitores së këtij shteti, mendohet që Harrisi është pranë nominimit, si zëvendës të saj, të guvernatorit të shtetit të Pensilvanisë, Josh Shapiro.
Ndërkohë, në tubimin e para dy ditëve në Atlantë ajo i kërkoi Trumpit që të kishte guximin të vendoste të përballej me të në një debat televiziv dhe të mos bishtnonte, për t’u ballafaquar kështu me të gjitha akuzat e ngritura nga ai kundër saj për politikat ekonomike, për ato të emigracionit, për reformat në shëndetësi, për politikë të jashtme etj., duke e mbyllur me shprehjen e saj të bërë tashmë aq virale: Come and say it to my face (Eja dhe m’i thuaj në sy)
Zonja Harris është e ashpër dhe flet me fakte për ballafaqimin me krimin e organizuar ndërkufitar, bazuar në eksperiencën e saj si prokurore e përgjithshme në Kaliforni – një ndër shtetet që përballet me rastet më të shumta që kanë të bëjnë me këtë formë të krimit. Sipas saj, puna si prokurore ia ka mundësuar të njohë shumë mashtrues, kriminelë, hileqarë duke aluduar se “një tip i tillë” është dhe sfiduesi republikan.
Edhe për akuzat ndaj saj për çështjen e sigurisë së kufirit jugor, ajo kundërpërgjigjet duke e drejtuar gishtin tek ish-presidenti Trump i cili, sipas saj, “po e përdor çështjen e emigracionit për të bërë fushatë”. Ai, me qëllim – deklaron ajo – pengoi senatorët republikanë për të miratuar ligjin i cili do t’ia jepte zgjidhjen çështjes së emigracionit të paligjshëm. Dhe, premton se ndër ligjet e para që do të firmos, me t’u zgjedhur presidente, do jetë pikërisht ai.
Nën moton “lufta e jonë është për të ardhmen dhe lirinë”, ajo sfidon republikanët dhe Trumpin duke i akuzuar se synimi i tyre është ta kthejnë ShBA-në prapa, duke synuar të implementojnë të ashtuquajturin Projekt 2025 nëse ata vijnë në pushtet. Në thelb, ai projekt përshkruhet nga një frymë e spikatur e supermacisë raciste, me tone fetare, ekstremiste, anti-establishment, me margjinalizim të shtresave të caktuara të shoqërisë, goditje ndaj shtresës së mesme dhe mbështetje të super të pasurve, si dhe hapur kundër vlerave liberale demokratike që përbëjnë shpirtin dhe identitetin amerikan. Një projekt i cili ka pesë dekada që ka filluar të përpunohet, qysh nga koha kur në pushtet ishte presidenti Ronald Reagan, vjen aktualisht në këtë version prej 900 faqeve. Duke e ndier rrezikun e daljes hapur në mbështetje të projektit ish-presidentit, ai është distancuar me justifikimin se “nuk e njeh” dhe se “ai nuk është deklaruar pro implementimit të tij në rast të zgjedhje si president”.
Por, ka fakte që komprometojnë këtë distancim të tij. Kështu, në një ngjarje të mbajtur në muajin shkurt, me përfaqësuesit më të lartë të Fondacionit Heritage, think-tankut konservator që ka hartuar projektin, Trumpi i ulur pranë drejtuesit të Fondacionit, Kevin Roberts, deklaroi se “keni bërë një punë të pabesueshme”. Robertsi njihet gjithashtu si një ndër aleatët dhe bashkëpunëtorët e afërt të Trumpit. Për më tepër, parathënia e projektit është shkruar nga JD Vance, ndërsa një pjesë e madhe e hartuesve të dokumentit kanë qenë pjesë e rëndësishme e kabinetit dhe administratës së Trumpit gjatë presidencës së tij, dhe një pjesë e autorëve ishin të pranishëm në fushatë. Sipas CNN-it, janë “140 persona që kanë punuar për Trumpin e të cilët janë të përfshirë në këtë projekt”. Po për këtë, Harrisi u ka bërë apel jo vetëm demokratëve, por të gjithë amerikanëve për rrezikun e kthimit të projektit në rast të fitores së republikanëve – fitore kjo që do të përhapte frikë dhe kaos në vend. Sipas saj, amerikanët duhet të votojnë për “Lirinë”, për çfarë motoja e saj e stampuar kudo – nga pankartat deri te fanellat – është: We are not going back. (Nuk kthehemi prapa).
Është momentumi i Harrisit. Ajo po i thyen të gjitha pritshmëritë dhe, nëse vazhdon kështu me mbështetje në rritje, i ka të gjitha shanset të zgjedhet presidente e ShBA-së. E nënvlerësuar nga elita që e shihte si autsajdere, ajo po ia del mbanë për të qenë e para presidente grua që ulet në Zyrën Ovale – e para presidente me ngjyrë dhe me origjinë afrikano-aziatike që do të drejtojë vendin më të fuqishëm në botë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPolicia e Kosovës demanton mediat serbe
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë
Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë
Putin: Rusia testoi një raketë të re me rreze të mesme në një sulm ndaj Ukrainës
Trump e emëroi për prokuror të përgjithshëm, Gaetz heq dorë pas presionit të publikut
Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme