Edona Llalloshi përkujton Jusuf Gërvallën në 80-vjetorin e lindjes së tij

Këngëtarja e njohur dhe njëherësh deputetja e Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi, ka përkujtuar figurën e shquar të kulturës dhe politikës shqiptare, Jusuf Gërvallën, në ditën e lindjes së tij – 1 tetor.
Po të ishte gjallë, Gërvalla do të festonte sot 80-vjetorin, një datë e cila kujton trashëgiminë e tij të pasur në muzikë, letërsi dhe veprimtari politike.
Me këtë rast, Edona Llalloshi ka vizituar Shtëpinë-Muze të Jusuf Gërvallës, ku është njohur nga afër me veprën dhe kujtimet e lëna pas. Përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, ajo ka ndarë disa fotografi nga kjo vizitë, duke shprehur respektin e thellë për personalitetin e tij.
“Përkujtim në 80-të vjetorin e lindjes së Jusuf Gërvallës. Personalitet shumëdimensional i kohës moderne. I shquar në muzikë, në shkrime dhe aktivitete politike. I pakrahasueshëm!”, ka shkruar Llalloshi në mbishkrimin e fotografive.
Jusuf Gërvalla mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare, i njohur për krijimtarinë e tij artistike dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, ndërsa përkujtimi i tij edhe pas tetë dekadash dëshmon përjetësinë e veprës që la pas. /Telegrafi/




























































