Në kohë janë hapur vendvotimet në Kumanovë, informoi kryetarja e Komisionit Komunal Zgjedhor, Kristina Cvetkovska.

Të drejtë vote, sot, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kanë 94.041 votues, duke e bërë Kumanovën komunën me numrin më të madh të votuesve që votojnë në 164 vendvotime.


Dje votuan personat e sëmurë dhe të pafuqishëm në Kumanovë, shfrytëzuesit e shërbimeve në Shtëpinë e të moshuarve “Zafir Sajto” dhe të dënuarit në institucionin ndëshkues-përmirësues në Kumanovë. Të drejtë vote kishin 212 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm dhe 42 persona të vendosur në Shtëpinë e Pleqve “Zafir Sajto”, ndërsa në institucionin ndëshkues të Burgut të Kumanovës (K’shanje) të drejtë vote kishin edhe 79 persona të dënuar.

Edhe në Komunën e Dibrës, vendvotimet janë hapur në kohë dhe votimi zhvillohet pa ndërprerë.

“Vendvotimet janë hapur në orën shtatë. Votimi në komunën e Dibrës zhvillohet në 27 vendvotime, nga të cilat 22 janë në qytet, dy në fshatin Mogorçe dhe nga një në fshatrat Xhepishte, Kosovrast i Epërm dhe i Poshtëm. Në listën e vetme të votuesve janë regjistruar 19763 persona ndërsa në raundin e parë votuan 40,72 për qind”, deklaroi Rilind Hasa, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor.

Dje, shtoi ai, të drejtën e tyre të votës e realizuan 130 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, që është për 54 qytetarë më shumë nga raundi i parë i zgjedhjeve, para dy javësh.

Në Komunën e Strugës vendvotimet janë hapur në kohë, saktë në ora 7, konfirmoi kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Minir Zhuta. Procesi i votimit, sipas tij, zhvillohet siç duhet.

“Të gjitha 101 vendvotimet në Komunën e Strugës janë hapur në kohë dhe procesi i votimit po zhvillohet normalisht dhe mirë”, tha Zhuta.

Në Strugë dhe rajonin e Strugës, në listën e vetme të votuesve, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, janë 62,711 votues. Për të votuar në kushte shtëpie janë paraqitur 422 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm dhe tre të burgosur ishin regjistruar.

Në garën për kryetar komune, dy nga nëntë kandidatët që morën pjesë në raundin e parë dy javë më parë mbetën në raundin e dytë.