Organizata për zhvillim dhe mbrojtje të mjedisit “EC Ma Ndryshe” ka ngritur alarmin për gjendjen e rënduar të furnizimit me ujë në Kosovë, duke theksuar se humbjet e ujit brenda rrjetit të ujësjellësit në disa zona arrijnë deri në 50 për qind.

Sipas organizatës, kjo do të thotë se gjysma e ujit të prodhuar humbet para se të arrijë tek konsumatorët, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit dhe sigurinë e furnizimit me ujë të pijshëm.


“Prishjet e shpeshta në rrjet, tubat e vjetëruar prej azbesti, si dhe lidhjet e paligjshme, kanë ulur ndjeshëm efikasitetin e ujësjellësit për vite me radhë”, thuhet në njoftimin e EC Ma Ndryshe.

Organizata vlerëson se kjo situatë përbën një nga sfidat më të mëdha në menaxhimin e burimeve ujore në vend dhe kërkon ndërhyrje urgjente institucionale për modernizimin e rrjetit të ujësjellësit, parandalimin e humbjeve dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për qytetarët.

EC Ma Ndryshe apelon për rritjen e investimeve në infrastrukturë, transparencë në menaxhimin e ujit dhe përfshirje më të madhe të komunitetit në mbrojtjen e këtij burimi jetik. /Telegrafi/