E shtypi kamioni ndërsa flinte në koshin e mbeturinave, humb jetën i riu shqiptar në Britani

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe. Sajmir Beca, 30 vjeç, humbi jetën në mënyrë tragjike pasi u shtyp nga një kamion mbeturinash në Northampton, ndërsa flinte brenda një kontejneri mbeturinash.
Sipas mediave britanike, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 31 tetorit, në rrugën Wellington. I riu u transportua me urgjencë në Spitalin Universitar të Coventry, ku qëndroi për plot 20 ditë në gjendje kritike, por fatkeqësisht ndërroi jetë më 6 nëntor.
Sipas mjekes Anne Pember, shkaku i vdekjes ishte dështimi i shumë organeve si pasojë e dëmtimeve të rënda në legen dhe gjymtyrët e poshtme. Mediat britanike raportojnë se po zhvillohet një hetim lidhur me rastin.
Trupi i të ndjerit është kthyer pranë familjes dhe ceremonia mortore është zhvilluar. 30-vjeçari lë pas prindërit dhe një vëlla.
Homazhe nga miqtë: Nuk ishte një i pastrehë i zakonshëm
Një mike e afërt e të riut tregoi për mediat britanike se Besa ishte kthyer atë natë në Northampton dhe nuk kishte patur se ku të qëndronte.
“Jemi shumë të trishtuar dhe duam që ai të kujtohet për atë që ishte, jo për mënyrën si vdiq. Ishte një njeri i mrekullueshëm, shumë punëtor. Ndihem shumë keq. Bashkëshorti im nuk pushonte së qari, sepse ndjente faj që nuk e kishte telefonuar. I telefonoi të gjithë të tjerët, por jo atë. Do t’i thosha të vinte të flinte tek ne, por ndoshta ai ndjente turp.”, tregon mikesha me lot në sy.
Ajo shtoi: “Duhet t’i bëjmë të vetëdijshëm punonjësit e mbeturinave që të kontrollojnë kontejnerët, sepse ndodhin tragjedi si kjo.”
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e personave që, për shkak të kushteve të vështira, strehohen në kontejnerë. Kompania Veolia, që menaxhon kontejnerët në qytet, u shpreh “thellësisht e tronditur” dhe premtoi bashkëpunim të plotë me autoritetet.


















































