E parkoi në tarracë Ferrarin, autoritetet austriake e detyrojnë ta zbres në tokë

Një 28-vjeçar nga Vjena u bë temë e mediave ndërkombëtare pasi vendosi ta parkojë Ferrarin 296 GTB në një mënyrë krejt të pazakontë: mbi tarracën e apartamentit. Veprimi spektakolar i sipërmarrësit Amar Deziq u shoqërua me shumë vëmendje nga banorët e lagjes, por edhe me reagim të menjëhershëm nga autoritetet.
Deziq, i cili në Vjenë menaxhon një kompani për pjesë automjetesh, mori vendimin e pazakontë pasi nuk arriti të sigurojë një vend parkimi në garazh për superveturën e tij. Pasi administrata e ndërtesës refuzoi kërkesën e tij për një hapësirë të re parkimi, ai punësoi një vinç të madh për të ngritur Ferrarin deri në tarracë, ku planifikonte ta vendoste brenda një kutie xhami dekorative, të ndriçuar gjatë dimrit.
Sipas tij, ideja ishte frymëzuar nga praktikat e zakonshme në qytete si Dubai, ku makinat e luksit shpesh ekspozohen si vepra arti. Megjithatë, ky “instalacion artistik” nuk zgjati shumë.
Vetëm pak ditë pas ngjarjes, kryeqyteti austriak ndërhyri me vendim të prerë: Ferrari duhej të largohej nga tarraca. Zyrtarët argumentuan se prania e një automjeti të tillë në lartësi përbënte rrezik statik për strukturën e ndërtesës dhe probleme të sigurisë nga zjarri, duke e bërë situatën të papranueshme.
Të premten e kaluar, një vinç i dytë u angazhua për ta zbritur superveturën sërish në tokë, në një operacion që shkoi pa incidente.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve, Deziq njoftoi se Ferrari do të ruhet përkohësisht në një nga hapësirat e biznesit të tij, derisa të kalojnë muajt e ftohtë.
Ngjarja ka ngjallur debat në rrjetet sociale dhe në opinionin publik mbi kufirin mes kreativitetit personal dhe rregullave urbane, ndërsa pamjet e Ferrarit të vendosur mbi tarracë u shpërndanë gjerësisht në internet. /Telegrafi/











































