A e mbani mend Hulk - ai vazhdon të shënojë super gola me goditje marramendëse

Sulmuesi legjendar brazilian, Hulk, vazhdon të mahnitë edhe në moshën 38-vjeçare, duke i kujtuar të gjithëve versionin më të mirë të vetes.
Ai vazhdon të shënojë gola spektakolar me goditjen e tij të frikshme, me një shpejtësi të jashtëzakonshme.
Në sfidën kundër Palmeiras, ai realizoi një gol të jashtëzakonshëm në minutën e 91-të nga një goditje dënimi – fuqishëm, saktë dhe me mjeshtëri, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës. Portieri mbeti pa lëvizur.
Ky ishte goli i dytë personal i Hulk në atë ndeshje, pasi më herët kishte zhbllokuar rezultatin, gjithashtu nga një goditje dënimi në fundin e pjesës së parë.
Megjithatë, përkundër përpjekjeve të tij, Atletico Mineiro u mund me rezultatin 3-2, pas golave të Lucas Evangelista, Mauricio dhe një autogoli nga Junior Alonso në fundin e takimit.
Pavarësisht humbjes, Hulk konfirmoi edhe një herë se është ende në nivel të lartë. Me 15 gola në 29 ndeshje këtë sezon, ai mbetet lider i Atletico Mineiros dhe simbol i qëndrueshmërisë në futbollin brazilian.
I famshëm fillimisht për paraqitjet e tij te Porto, Hulk zgjodhi rrugë të ndryshme nga shumica e yjeve: kaloi te Zenit në Rusi më 2012 dhe më pas qëndroi pesë vite në Kinë. Ai ka 49 paraqitje dhe 11 gola me kombëtaren e Brazilit. /Telegrafi/



















































