Kristjan Asllani ishte protagonisti i ndeshjes së rëndësishme për Shqipërinë në Andorra, duke shënuar golin vendimtar që siguroi kualifikimin për në play-off.

Pas ndeshjes, Asllani foli për emocionet dhe përpjekjet e ekipit, duke u ndalur edhe te loja me Uzunin.


“E punojmë shumë sidomos kur kam topin unë dhe Myrto shkon pas shpine. Jemi të lumtur sepse e dimë çfarë do të thotë kjo fitore për ne. Sot do të festojmë, e më pas do të mendojmë për Anglinë”, deklaroi Asllani.

Mes vështirësive gjatë ndeshjes, Asllani theksoi se pjesa e parë nuk ishte e lehtë, me Andorrën që u mbyll shumë prapa.

“Të them të drejtën, nuk ishte një pjesë e parë e mirë. Andorra luante me 5-4-1, ndërsa sot provoi 4-4-2. Kishim vështirësi, por në pjesën e dytë sulmuesit patën më shumë hapësirë dhe e merituam fitoren. Nuk janë ekipe të vogla, mbyllen shumë. Unë dhe Shehu kishim vështirësi, na vinin dy mbrojtës, na mbyllnin, por ia dolëm”, shtoi ai.

Kristjan Asllani përfundoi me një mesazh motivues për ekipin, duke thënë se po festojnë play-offin.

“Tani të mos mendojmë për ndeshjen, shkojmë në Tiranë të festojmë e pastaj mendojmë për Anglinë”, përfundoi Asllani.

Ky moment historik për Shqipërinë është një hap i madh drejt suksesit në play-off-in e Botërorit 2026. /Telegrafi/

telegrafi sport app