Fituesi i Çmimit të Madh të Abu Dhabit, Max Verstappen u shpreh se ishte “shumë krenar” pavarësisht se humbi ngushtë titullin e vitit 2025 pas një rikthimi të jashtëzakonshëm.

Verstappen e gjeti veten 104 pikë prapa kreut të kampionatit pas Çmimit të Madh të Holandës në gusht, por ai dhe Red Bull u rikthyen fuqishëm në garë me një seri fantastike paraqitjesh përgjatë gjysmës së dytë të sezonit.


Megjithëse e nisi nga pole position dhe e fitoi garën me një paraqitje mbizotëruese, në fund Verstappen mbeti dy pikë larg përmbysjes së Lando Norris, i cili e siguroi titullin me një vend të tretë.

I pyetur pas garës nëse kishte emocione të përziera, Verstappen tha se humbja e titullit mbetet e dhimbshme, por beson se gara nuk ishte e keqe.

“Ndjehem mirë. Që më herët isha i përgatitur për këto rezultate, sepse na duhej pak fat për të fituar”.

“Nga ana jonë, të paktën e optimizuam fundjavën në mënyrën perfekte – e nisëm nga pole, e fituam garën, mendoj në mënyrë dominuese, ndaj nuk ka shumë për të shtuar”.

“Në fund, sigurisht, humbja e kampionatit me dy pikë duket e dhimbshme, por nga ana tjetër, nëse shikon prej nga kemi ardhur, në Zandvoort ishim më shumë se 100 pikë mbrapa, kështu që mendoj se nuk është edhe aq keq”.

I shtyrë të flasë për krenarinë që ndjen për rikthimin e tij dhe të Red Bull, holandezi shtoi:

“Jam shumë krenar për të gjithë ekipin. Mund të kishim hequr dorë shumë lehtë në atë pikë, kur je kaq larg.

“Nuk mendoj se ky ekip funksionon kështu. Ne gjithmonë përpiqemi të gjejmë përmirësime dhe të kuptojmë problemet tona, dhe këtë pikërisht e bëmë. Ky rikthim ka qenë argëtues, dhe edhe sot ishte një ditë e mirë”.

Verstappen në fund konfirmoi se mbetet krenar me gjithë punën e bërë, pavarësisht që dështuan në fund.

“Nuk e fituam kampionatin, në rregull, ndodh, është pjesë e jetës dhe nuk është diçka për të cilën do të jem shumë i trishtuar. Jeta vazhdon”.

“Jam thjesht shumë krenar për njerëzit me të cilët punoj, ata janë familja ime e dytë, dhe do ta shijojmë këtë moment. Do ta shijojmë gjysmën e dytë të sezonit, do të jemi krenarë për të, dhe vitin e ardhshëm do të jetë një pikëpyetje e madhe për të gjithë”./Telegrafi

telegrafi sport app