"Dy gabimet e tij sollën dy golat e Danimarkës" - Valon Behrami i ashpër me paraqitjen e kapitenit Granit Xhaka

Ish-futbollisti Valon Behrami, tani në cilësinë e analistit për mediumet zvicerane, ka bërë një analizë për ndeshje e Zvicrës me Danimarkën e cila u mbyll 2-2. Sipas tij, rënia nga Liga A e Kombeve mbetet një kërcënim, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për tu zhvilluar. “Gjëja pozitive ishte se më në fund kishim më shumë rregull në lojë. Lojtarët i mbajtën më mirë pozicionet e tyre, vetëm Amdouni dhe Rieder bënë rotacion në sulm. Nuk ishte ende e jashtëzakonshme, por ne treguam disa qasje të mira në sulm”, u shpreh fillimisht Behrami.

“Më pas të martën, kapiteni Xhaka bëri dy gabime vendimtare. Në golin e parë, ai i shkujdesur ia dha topin kundërshtarit pas një faulli, kështu që nuk patëm kohë për t’u rigrupuar”. “Në golin e dytë, ai vetëm shikoi i ngurtësuar, në vend që të ndërhynte. Këto gabime nuk duhet të ndodhin”, deklaroi Behrami që dikur ndante fushën me Xhakën.












































