LAJMI I FUNDIT:

DUKE VARROSUR NJË NGA MASKAT E MIA

DUKE VARROSUR NJË NGA MASKAT E MIA
Kahlil Gibran (1883–1931)

Nga: Khalil Gibran
Përktheu: Bajram Karabolli

BRENGAT E MIA

Në vjeshtë mblodha të gjitha brengat e mia dhe i varrosa në kopshtin tim.


Dhe, kur erdhi prilli, pra, kur mbërriti pranvera, si për të festuar dasmën e saj me tokën, në kopshtin tim shpërthyen dhe u rritën ca lule aq të bukura, si asnjë lule tjetër.

Fqinjët e mi erdhën, me vrap, për t’i parë. Pastaj, të gjithë, m’u lutën dhe më thanë:

– Kur të vijë vjeshta, stina e mbjelljes, a do të na japësh edhe neve farat e këtyre luleve, që ato të rriten edhe në kopshtet tona?

_______________

Lexo po ashtu:
Ju keni Libanin tuaj, unë kam timin
Thirrja më e bukur: Nëna ime
Mjerë ai komb që si udhëheqës ka dhelprën, si filozof magjistarin dhe si artistë laramanët dhe imituesit
***

VARRMIHËSI

Një herë shkova në varreza për të varrosur një nga maskat e mia. Ndërkohë që po e varrosja maskën më afrohet varrmihësi dhe më thotë:

– Nga të gjithë ata që vijnë këtu dhe varrosin egot e tyre, vetëm ti po më pëlqen.

– Faleminderit shumë që po ma bën qejfin, – i them unë. – Po nuk më thua pse të pëlqyekam aq shumë?

– Sepse, gjithë të tjerët që vijnë këtu, hyjnë duke qarë dhe dalin duke qarë, ndërsa ti, gjithmonë, hyn duke qeshur dhe del duke qeshur, – m’u përgjigj varrmihësi.

_______________

Lexo po ashtu:
Populli dhe tirani …
Vdekja e poetit është jeta e tij
Drejtësia!

***

NJOLLA E ZEZË

Para shtatë shekujsh, shtatë pëllumba të bardhë u ngritën nga thellësia e një lugine dhe duke fluturuar arritën në majën e një mali të lartë plot me borë.

Një nga shtatë njerëzit që po i shikonin pëllumbat e bardhë në fluturim tha:

– Në njërin krah të pëllumbit të shtatë shikoj një njollë të zezë.

Sot e kësaj dite, njerëzit e asaj lugine tregojnë për shtatë pëllumba të zinj që, para shtatë shekujsh, fluturuan drejt majës së malit me dëborë.