LAJMI I FUNDIT:

A duhen importuar në Kosovë vetura më të vjetra se 10 vjet? – qytetarët dhe ekspertët me mendime të ndryshme

A duhen importuar në Kosovë vetura më të vjetra se 10 vjet? – qytetarët dhe ekspertët me mendime të ndryshme

Në rrugët e Kosovës vazhdon të ketë automjete të viteve 80-ta, të cilat përveç që ndotin ambientin, janë edhe të pasigurta në komunikacion, gjë që shtojnë gjasat për aksidente. Megjithatë, ekspertë dhe drejtues të institucioneve, nuk e shohin të rrugës, që qytetarëve t’iu mundësohen regjistrimi i veturave të kapshme për xhepin e tyre, e të cilat do të ndikonin për një ambient më të mirë dhe siguri më të madhe në rrugë.

Në vendin tonë mbetet në fuqi ligji me të cilin, një veturë mund të regjistrohet dhe të pajisjet me targat RKS, vetëm nëse është nga viti 2013-2023, konkretisht 10 vite më e vjetër nga viti ekzistues. Për një numër të madh të qytetarëve, regjistrimi i veturave të vitit 2013, është i pamundur.


Kjo për shkak se deri tek targat, më e lira do t’i kushtonte rreth 3500 euro, pa llogaritur blerjen e veturës në vendet evropiane dhe koston e importit deri në Kosovë.

Qytetarët janë pro ndryshimit të ligjit aktual, i cili nuk lejon regjistrimin e veturave nga viti 2000-2010. Ata thonë se përveç ruajtjes së ambientit, veturat e viteve 2000, janë më të sigurta se sa ato të viteve të më hershme, të cilat qarkullojnë ende në rrugët e Kosovës.

Kurse, ekspertë të mjedisit dhe komunikacionit e konsiderojnë si të dëmshëm dhe me efekte negative heqjen e kufizimit për importin e veturave më të vjetra se 10 vjet.

Ka disa vite prej kur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka iniciuar plotësim-ndryshimin e ligjit për importin e veturave, ku kërkohet heqja e kufizimit të vjetërsisë, por që ende nuk është marrë një vendim i tillë.

Lushtaku në një prononcim për KosovaPress, thotë se ky ligj në Kosovë është krijuar me një standard të dyfishtë, derisa potencon se një gjë e tillë i duket e padrejtë, por që nuk po gjen pajtueshmëri të deputetëve shumicë që të marrin pjesë në votim.

“Ka qenë edhe pjesa ku veturat të cilat janë më të vjetra se 10 vjet me këtë ligj aktual, nuk kanë mundësi të importohen dhe të blihen në Kosovë. Ne e dimë që ka në Kosovë me këtë ligj është krijuar një standard i dyfishtë sepse në BE të gjitha ligjet lidhen me standarde, nuk lidhen me vite. Prandaj, ka qenë kërkesa ime që nga fillimi që të ndryshohet dhe mos të bëhen kriteret e dyfishta. Këto kritere nuk janë as në Zvicër, as në Gjermani, as në vendet e Ballkanit që janë të anëtarësuara, që janë pjesë e Bashkimit Evropian, prandaj mendoj që është e padrejtë dhe si e tillë kam kërkuar plotësim ndryshimin e ligjeve për automjete por fatkeqësisht nuk e kam gjetur pajtueshmërinë e deputetëve shumicë që të marrin pjesë në votim”, tha Lushtaku.

Ndërkaq, sa i përket akcizës doganore, Lushtaku thotë se nevojiten ndryshime, derisa thekson se për veturat e reja duhet të ketë një normë më të vogël të akcizës’.

Në maj të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës pati diskutuar për lejimin e importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet. Zyrtarë të saj patën thënë se “në kuadër të analizave për shikimin e politikave tatimore, janë duke e trajtuar një opsion të tillë”. Por, pavarësisht kësaj, ende nuk ka ndonjë ndryshim të vendimit.

Ministria e Infrastrukturës në një përgjigje përmes emailit, thotë se janë duke hulumtuar mënyrën e rregullimit të importit të automjeteve në funksion të mbrojtës, në kuadër të një projekti të financuar nga Qeveria e Japonisë. MI-ja potencon se pjesë e hulumtimit është mundësia që kufizimi të bëhet përmes euro normave, ku importi kufizohet në euro V.

“Momentalisht e kemi një projekt te financuar nga JICA (Qeveria Japoneze) përmes të cilit jemi duke i hulumtuar mënyrën e rregullimit te importit te automjeteve e ne funksion të mbrojtjes së ambientit. Pjese e hulumtimit është edhe mundësia qe kufizimi te behet përmes Euro normave, në këtë rast importi te kufizohet ne euro v. Po ashtu projektligji për automjete është ne procedura të përgatitjes. Me ligjin e ri do të rregullohet edhe importi”, thotë MI-ja për KosovaPress.

Ndryshe nga deputeti Lushtaku, lidhur me propozimin që në Kosovë të mund të importohen veturat më të vjetra se 10 vjet, mendon eksperti i komunikacionit, Muhamet Krasniqi. Ai thotë se me miratimin e këtij vendimi, do të krijohet një deponi e automjeteve në Kosovë.

Ai shton se qeveria duhet të favorizojë importimin e automjeteve të reja në vend të atyre të vjetra.

“Unë vazhdoj dhe jam konsistent në mendimin tim se qeveria, shteti, duhet të favorizoj importimin e automjeteve të reja, në vend se të favorizojë importimin e automjeteve të vjetra të cilat, pothuajse shtetet e Bashkimit Evropian, i largojnë nga qarkullimi i tyre i përditshëm dhe pastaj në Kosovë krijohet në një farë forme një deponi e këtyre automjeteve të përdorura, të cilat në aspektin teknik, dyshoj se i plotësojnë mjaftueshëm kriteret teknike për t’u regjistruar dhe për t’u marrë në përdorim të përditshëm nga qytetarët”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, eksperti i mjedisit, Zeqir Veselaj për KosovaPress, thotë se qytetarët e Kosovës duke qenë në gjendje jo të mirë ekonomike, favorizohen nga ky vendim, por që sipas tij, në aspektin mjedisor do të shkaktojë ngarkesë në cilësinë e ajrit.

“Nëse shikojmë në dimensionin ekonomik për popullin e varfër të Kosovës, një zhvendosje e këtij kufiri të limitit për import të veturave, do të ishte e mirëseardhur sepse situata ekonomike e njerëzve ua imponon që të blejnë vetura më të lira dhe në parim çdo veturë sa më e vjetër, çmimi i saj shkon duke rënë. Por, kjo e imponon këtë dimensionin tjetër që është dimensioni ekologjik, që një veturë sa më e vjetër, dëmin ose ndikim në mjedis e ka më të madh…Publiku kosovarë duke qenë se është në gjendje jo të mirë ekonomike, është shumë në favor të asaj që të hiqet ky kufizimi i 10 vjeçarit, por për ne ambientalistat, ne mendojmë se një zhvendosje e këtij kufiri, një zgjatje pavarësisht të një dobie afatshkurtër ekonomike që mund ta sjellë, në aspektin mjedisor do të shkaktojë një ngarkesë edhe më të madhe të cilësisë së ajrit”, potencon Veselaj.

Ai shton se automjetet janë ndotësit e dytë më të mëdhenj në Kosovë, menjëherë pas termocentraleve, në mungesë të industrisë.

Se qytetarëve iu konvenon një vendim i tillë, e pohojnë vetë ata.

Qytetari Gjergj Lumezi shprehet se po të ndryshohej 10 vjeçari në 15, sa i përket kufizimit, do të ishte më mirë.

“Po duhet se më mirë, puna që ndotja ajrit pak zvogëlohet, niveli i ndotjes…Më mirë është të ndryshohet pak, se t’i marrim më të reja pak është më mirë…15 vjet mundet”, tha Lumezi.

Njëjtë mendon edhe Mehdi Gashi, teksa thotë se e ka një veturë të viteve 87’ që nuk e ndërron me asnjë automjet tjetër. Ai shton se ‘ne nuk kemi standarde për të ndryshuar vitet e prodhimit’.

“Se di gjithçka bëjnë, ku ia kanë mësy a mirë a keq, i dalin mbanë…Po qysh nuk është më mirë more, po ne të shkretit ku të marrim mos të investohet mbi 10 vjet. Unë e kam në veturë timen 87’sot nuk ia ndërroj askujt hiq, po më punon mirë, po e vozisë mirë. Nuk kemi standard ne me këqyr e me ndryshu vitet e prodhimit e gjëra”, tha Gashi.

Në nenin 44 të Ligjit për automjete që është miratuar qysh në vitin 2017, thuhet se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”./KP/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Osmani takohet me zv.presidentin e MCC: Granti prej mbi 200 milionë euro do ta transformojë sektorin e energjisë

Osmani takohet me zv.presidentin e MCC: Granti prej mbi 200 milionë euro do ta transformojë sektorin e energjisë

Ekonomi
Klinika Amerikane “Dr. Behar Kusari” për herë të parë sjellë në rajon trajtimin pa dhimbje me Laser të Hemorroideve, Fistulave dhe Sinuseve Pilonidalis

Klinika Amerikane “Dr. Behar Kusari” për herë të parë sjellë në rajon trajtimin pa dhimbje me Laser të Hemorroideve, Fistulave dhe Sinuseve Pilonidalis

American Clinic
N’BAU krejt i gjen me zbritje këtë javë!

N’BAU krejt i gjen me zbritje këtë javë!

Bau Market
Eksploro natyrën me veshjet e stilit taktik të Melodia Px

Eksploro natyrën me veshjet e stilit taktik të Melodia Px

Melodia Px
10 arsye pse duhet të studioni në UBT!

10 arsye pse duhet të studioni në UBT!

UBT
​​Valtech blen Kin + Carta’n, kompani prezente edhe në Kosovë

​​Valtech blen Kin + Carta’n, kompani prezente edhe në Kosovë

Ekonomi
Kalo në kategori