“E kam thënë disa herë, këto barrikada janë formë e shprehjes fizike të protestës dhe e refuzimit. Natyrisht KFOR-i me kapacitet që ka mund t’i heq këto barrikada, por për sa kohë që ato ekzistojnë në kokat e njerëzve në veri të vendit dhe nuk hiqen, nuk ka ndonjë kuptim heqja fizike e tyre. Sepse: e para, kjo pak ose hiq gjë do të ndryshonte në refuzimin e njerëzve në veri, dhe e dyta: menjëherë pasi ne të heqim një barrikada, disa metra më larg ngritët tjetra prej protestuesve serbë”, ka thënë Drews për Radio Kosova.

Ai përjashton mundësinë që problemi në veri të zgjidhet mjete ushtarake. Sipas tij, fjala është për një refuzim, “apo shprehje të protestave nga qytetarë civilë të këtij vendi”.


“Protesta të tilla të ngjashme ndodhin dhe kanë ndodhur edhe në Berlin, Paris apo Londër. Përgjigja që kanë bërë qeveritë në këto raste ka qenë në dy forma: përmes dialogut me protestuesit dhe përgjigja e dytë ka qenë veprimi policor dhe jo ushtria. Në asnjë prej këtyre rasteve, asnjë nga qeveritë nuk ka mobilizuar ndonjë divizion këmbësorie për t’iu përgjigjur protestave. Prandaj, jam i bindur se edhe problemet në veri nuk mund të zgjidhen përmes veprimeve ushtarake”.

Drews beson se KFOR-i dhe EULEX-i në ditët dhe javët në vazhdim do të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e veta. Ai është kureshtar të shohë që palët në dialog jo vetëm se do të arrijnë marrëveshje për zgjidhjen e problemeve, por ato vërtet do t’i jetësojnë dhe zbatojnë në praktikë.

“Jo vetëm të arrihen marrëveshje në letër, por marrëveshjet të zbatohen. Kjo sigurisht do të ketë edhe ndikimin e vetë në shtendosjen e situatës. Por, kjo mbete të shihet në të ardhmen”. /Telegrafi/