Drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj hap thirrjen për mbështetje të fermerëve prodhues të fidanëve dhe farave

Drejtoria për Bujqësi e Komunës së Ferizajt ka shpallur thirrjen publike për aplikim në programin e mbështetjes bujqësore për vitin 2025, që ka për qëllim furnizimin e fermerëve prodhues me fidanë dhe pajisje për mbjelljen e farave të perimeve ose luleve.
Sipas njoftimit zyrtar, përfitues do të jenë fermerët që plotësojnë kriteret si: të jenë banorë të Komunës së Ferizajt, të posedojnë pronë brenda territorit të komunës dhe të jenë kultivues të rregullt të fidanëve të perimeve ose luleve, përcjell Telegrafi.
Përparësi do të kenë fermerët që kanë aplikuar më herët për subvencione në Ministrinë e Bujqësisë dhe ata me përvojë më të gjatë në këtë fushë.
Dokumentet e nevojshme për aplikim përfshijnë: kopjen e letërnjoftimit, fletë-aplikacionin e plotësuar (të cilin mund ta marrin në Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve), dëshminë kadastrale të pronësisë, dëshminë për shitje të produkteve nga ferma apo nga nënkontrata, si dhe dëshminë e aplikimit për subvencion për vitin 2025.
Fermerët e interesuar mund të aplikojnë në Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve në katin e parë të objektit të Komunës së Ferizajt. Afati për aplikim është nga 22 tetor deri më 31 tetor 2025. /Telegrafi/

















































