Nga: Eriola Çoçaj
Tekstet letrare mundësojnë lloje të ndryshme studimesh, lejojnë qasje diferente të cilat dërgojnë në rezultate të caktuara, gjithmonë drejt interpretimeve që asnjëherë s’janë kanonike. E tillë është vepra letrare Dranja e Martin Camajt, e cila karakterizohet nga një stil shkrimi i zgjedhur me dialektin gegë.
Rikonfigurimi i formës së madrigalit
Qysh në fillim të veprës letrare Camaj parapërgatit formën e tekstit letrar, të cilin e ka shkruar: Madrigale mbi fatin e një frymori të papërsosun. (Camaj, 2017, f. 447)
Camaj, kështu, ngjallë idenë e një poezie lirike me metrikë fikse, por kjo ide duket sikur përmbyset kur shihet një trajtë e re, ajo e prozës. Në këtë mënyrë, Camaj ndërton një tekst që s’është madrigal i mirëfilltë, i cili karakterizohet nën një formë të re, atë të prozës, duke e ruajtur natyrën e gjuhës poetike në brendësi të tij. Ai mund të krijojë një frymor të cilin e quan të papërsosur, me një shkrim të një forme të cilën e rikonfiguron, duke e kthyer nga poezia në prozë. Struktura e jashtme nuk është asgjë tjetër veҫse një përmbysje e rendit të rregullt të madrigalit, rend i cili është i mirëfilltë në anën e gjuhës dhe të stilit, ku do të shihet një vepër e mbushur me figura letrare dhe një gjuhë shumë simbolike. Ajo që do t’i ndërlidhë këto madrigale është tema, e cila bën që këto madrigale të funksionojnë si një entitet i vetëm por, në anën tjetër, madrigalet mund të lexohen edhe si të pavarura, pa ndonjë vështirësi.
Këto madrigale i bën prozë narracioni. Edhe këtu ka një narrator që rrëfen dhe një objekt të cilit i kushtohen madrigalet, që është Dranja. Tani nuk paraqitet objekti femër-njeri si në madrigalet tipike, por shfaqet si objekt një frymor breshkë, që i vihet epiteti i papërsosur. Ciklin jetësor të këtij objekti të madrigalit do ta rrëfejë narratori, i cili ka një lidhje shpirtërore me Dranjën. Ky narrator ka informacione të gjithanshme për Dranjën, e di se ku shkon ajo, e di se çfarë ha, e di se çfarë pi, e di se si shikon. Nëse Dranja e ndryshon vendin, atëherë edhe narratori është bashkë me të, duke i përjetuar të gjitha ato ndodhi dhe situata të cilat i përjeton Dranja.
Empirikja, sensualja e metafizikja
Camaj veprën letrare e ndan në tri pjesë, të cilat kanë tituj të veçantë: Përvojë jete; Mprehje shqisash; Fryma e ngujueme në asht. Kjo strukturë ka për bazë anën kontekstuale të tekstit, ku në planin tematik do të shihet që, në fakt, rrugëtimi i Dranjës nuk është asgjë tjetër veçse një përvojë jetësore. Ky frymor kalon nëpër procese fiziologjike: lindja, jeta dhe, në fund, vdekja, të cilat ndërlidhen me tri dimensione eksternale me prejardhje filozofike: empirizimi – që paraqet përvojën, sensualizmi – që paraqet shqisën dhe metafizika – përtej jetësoren.
Përvoja jetësore e Dranjës nuk është e zakonshme. As frymori i Camajt nuk është i zakonshëm. Është një breshkë. Kjo breshkë do të lindë dhe do të dalë si një embrion krejtësisht i ri në jetë. Jetesa e saj bazohet pikërisht te përvoja. Ajo mund ta njohë rrezikun dhe në këtë mënyrë edhe ta gjejë rrugën më të duhur për t’iu larguar atij rreziku: Për të hy nën dhe nuk ishte koha; e vendi, i panjoftun dhe i pastrehë. Turravrap u vu në të ikun përmes fushës as me qenë iriq kambëshpejtë. (Camaj, 2017, f. 467)
Dranja do të kalojë në vende të huaja e klima të papërshtatshme të cilat asaj do t’i krijojnë një përvojë mbi jetën, përvojë mbi rrezikun që i kanoset si dhe përvojë në përballjen me një frymor tjetër, që është njeriu. Ajo kujdeset vetëm për qenësinë e vet, pa penguar qenësinë e të tjerëve dhe këtë autori e jep si një lloj aftësie të saj: Po Dranja ka edhe aftësi tjera, si për shembull: mos me nda kufij me askend; mos me gjimue për ma të voglën dhimbë si egërsinë në kurthë; mos me u grindë me moshatarë krye-thinjun; mos me shkue krahas me tjerë në mort e në dasmë; mos me qenë e shtrëngueme përdhunë me vrojtë fikjen e diellit në maje as me qenë sy njeriu që mbyllet i vetëm e bahet shkrumb! (Camaj, 2017, f. 477).
Përvoja sensuale është një ndër pikat themelore e cila determinon jetesën e Dranjës. Sensualja është ajo të cilën Dranjën e mban në jetë në situata të caktuara. Camaj në këtë pjesë bën një mprehje alegorike shqisash. Dranjës nuk i mprehën shqisat në rini. Shqisat e saj mprehën në një moshë të pjekur.
Metafizikja del në çastin kur Dranja si frymor vdes, mbetet vetëm rrashta e saj. Por ai që në mënyrë figurative e ndjek pas autorin është shpirti i Dranjës. Rrashta autorit i mundëson kujtimin e Dranjës, tash kur asaj i është zhdukur mishi dhe i ka mbetur vetëm ashti. Ajo frymë (jetë), që dikur ishte e ngujuar në asht, tash është e çliruar. Në këtë mënyrë rrashta e breshkës mund të merret edhe si një lloj burgu i saj, nga i cili breshka çlirohet në çastin e vdekjes.
Miti, legjendat, fjalët e urta, mallkimet dhe besëtytnitë
Autori madrigalet e tij dhe historinë e Dranjës e fillon me shpjegime mitike, duke dhënë njohuri që Dranja në mitologjinë popullore ka një nam të keq: Në një përrallë ajo na del pula e dreqit, me shtrigën kaluer mbi shpinë. Dikund tjetër tregohet se ajo kur e pau të huejin tue ardhë për mik me bujtë, hoqi vorbën me mish prej zjarmit për të mos e ngranë me atë. (Camaj, 2017, f. 453)
Legjenda e murimit figuron edhe në madrigalet e Camajt. Edhe këtu hyn e pazakonta, kur në themele vihet një breshkë. Banorët breshkën e flijojnë mbi bazën e legjendës që asnjë ndërtim nuk do të qëndrojë në këmbë nëse nuk vihet në themele të tij ndonjë kafshë. Kjo kafshë, jo pa qëllim, është pikërisht breshkani, i shoqi i Dranjës. I shoqi i Dranjës është një breshkan të cilin e karakterizojnë pabesia e tradhtia. Këtu autori ndërton një relacion me legjendën e murimit të Rozafatit, me Rozafën e cila muroset për shkak të një pabesie. Në këtë rast pabesia (breshkani) është ai që pëson.
Gjuhën e Camajt e karakterizojnë edhe fjalët e urta si dhe diskursi në frymë sentencash. Në tekstin e tij do të hasen pleq të cilët i karakterizon pikërisht retorika e tyre, përdorimi i këtyre sentencave: Faji i njenit-rreziku i tjerëve. (Camaj, 2017, f. 458)
***
“Uji lan edhe murtajën, thotë një fjalë e lashtë”. (Camaj, 2017, f. 471)
Edhe mallkimet bëhen pjesë e diskursit të Camjat: “Të ligën, or bir, ty breshka e zezë!”. (Camaj, 2017, f. 516)
Besëtytnitë te Camaj dalin si pjesë e jetës së njeriut i cili e rrethon Dranjën. Së pari mund të ndeshet besëtytnia që të shikohet e ardhmja nga shpatulla e berrit, apo besëtytnia e besimit në syrin e ligë: Ma ngjiti në krye dhimba,-tha grueja-mos je sy-keq?”.(Camaj, 2017, f. 543). Mund të vërehet edhe besimi në Orë: “Mirë-thanë ata-na e dimë që moti se nema e Orëve ndërron në shkamb ҫdo gja, edhe bariun me tufë përpara, po puna ashtë: si erdhi breshka deri këtu, kaq nalt?”. (Camaj, 2017, f. 451)
Shihet që Camaj e ndërton tekstin me një lidhje shumë të fuqishme me trashëgiminë popullore e folklorin. Populli është burimi i gjallë i kësaj trashëgimie. Camaj bën personazhe pleqtë e vjetër që njihen për pleqërime dhe ua jep atyre diskursin i cili i karakterizon. Ajo që në mënyrë figurative bëhet dëshmitare e këtij populli dhe që i bart të gjitha këto mbi shpinë është Dranja.
Stili dhe gjuha
Camaj përdor një stil shumë të veçantë të shkrimit. Sipas Shalës, themelore për Camajn është “fjala e bukur, gjuha poetike e zgjedhur”. (Shala, 2011, f. 168)
Ky stil i jep tekstit të Camajt një trajtë shumë poetike. Refuzimi i standardit dhe shkrimi në dialektin gegë, bën që teksti të tingëllojë edhe më poetik. Fjalët gjithmonë janë të zgjedhura me shumë kujdes. Ritmi i rrëfimit barazohet me ritmin e fjalëve të cilat i përdor autori në tekst. Nëse lëvizja e breshkës është e ngadalshme, atëherë edhe fjalët e Camajt janë të ngadalshme, ngjallin ndjenjën e qetësisë, butësisë dhe jo të thirrjes apo të vrazhdësisë. Kështu, autori duket sikur paralelizon intonacionin e gjuhës së tij poetike me ritmin e ecjes së breshkës. Brendësia e këtij teksti është e mbushur me figura. Figura kryesore të cilën e përdor Camaj është simboli, ku hasim në simbole si breshka, rrashta, gjarpri, vatra e zjarrit, guri, kosa, rrënja e shumë simbole të tjera.
Breshka simbolizon jetëgjatësinë dhe vjetërsinë. Jorastësisht Camaj zgjedh këtë kafshë e cila në mënyrë simbolike lind nga toka. Kjo breshkë, bashkë me rrashtën e saj, simbolizon vjetërsinë e popullit ilir. Në rrashtën e kësaj breshke, sipas autorit, është gdhendur gjarpri, i cili është një nga kultet ilire. Breshka, gjatë rrugëtimit të saj, që nga lindja e deri në vdekje, përballet me situata të ndryshme.
Nëse vepra shihet nga këndi pozitivist, breshka mund të merret si alter-ego e autorit. Duke ditur që autorit i është dashur të largohet nga atdheu, atëherë nga ky kënd mund të shihet një reflektim i jetës së tij në vepër, i koduar nëpërmjet këtij simboli. Edhe breshka largohet, nuk mësohet me klimën e dheut të huaj. Për largimin e saj personazhet aludojnë për ndonjë përmallim të mundshëm të saj për atdheun: Kemi pru një breshkë nga vendi yt-më tha dikush në telefon larg si prej një kontinenti tjetër. – Desha të pyes, ҫka ha ky dreq?… Puna është se ajo ban grevë uje-shpjegoj- e s’dimë ҫka të bajmë me të!… “Si? Thue se ka mall për vend? E u ndërpre lidhja. (Camaj, 2017, f. 529)
Vatra e zjarrit simbolizon jetën, zjarrin e pashuar në oxhakun e shtëpisë dhe vazhdimin e traditave, me të cilat Camaj duket që ka një lidhje të pashkëputshme shpirtërore.
Guri simbolizon fortësinë dhe qëndresën e cila forcohet më tepër me simbolikën e rrënjës.
Kosa del si mjet i punës, pasqyrimi i shtresës punëtore të fshatarëve, malësorëve të cilët në formën më të vështirë, nën egërsinë e natyrës, arrijnë ta sigurojnë jetesën.
Gjarpri përbën një nga kultet më të lashta ilire. Pikërisht për këtë funksion, edhe Camaj e merr gjarprin, të cilin e paraqet të ngjizur në rrashtën e breshkës. Me këtë gjarpër mbi shpinë breshka jeton.
Rrënja është një ndër simbolet që përdor Camaj në vepër. Rrënja nuk paraqet asgjë tjetër veçse fuqinë e mbajtjes dhe lidhjen me tokën. Rrënja paraqet ekzistencën e hershme të popullit shqiptar.
Camaj e ndërton tekstin mbi simbole të kulturës shqiptare, duke e forcuar në këtë mënyrë edhe më tepër anën identitare, e cila identifikohet edhe me plakun e plisin si simbol. Këta njerëz janë gjithmonë në punë: Ata që presin barin me drapij dhe kosa të shkurta, posaҫe për livadhe me gur në bjeshkën e Cukalit, janë njerëz të heshtun dhe vetëm në dukje të qetë: dhimba u bren kocat natën e i kap pika në mëngjes në muskuj e gjymtyrë kur sjellin së pari rreptas hekurin në bar. (Camaj, 2017, f. 451)
Kultura dhe tradita
Duke pasqyruar shqiptarin dhe jetën e tij, atëherë patjetër që autori do t’i paraqesë edhe doket e zakonet e shqiptarit, të cilat do të ndërfuten në rrjedhën e ngjarjeve të Dranjës. Më e rëndësishmja ndër këto është dalja në pah e elementit të gjakmarrjes. Djali është në gjak dhe detyrohet të ruhet: Je i dukagjinas-i thanë-e i lypun për gjak anekand. Rueju, se je i dhimbshëm për të gjithë. (Camaj, 2017, f. 464)
Këtu nëpërmjet dialogut mund të shihet depërtimi i autorit në psikologjinë e personazhit, ku djalin e ka kapluar dyshimi, por ajo e cila do ta ruajë është fara: Mbramë, pashë në dritën e vetimës nëpër dritare mes hujve të gardhit nënë oborr krena gjaksorësh, lidhë me faculeta të kuqe. Desha me u dalë përballë, por më ndali dyshimi se mos ishin sall qeleshe të bardha në shtanga, qitë me u terë. (Camaj, 2017, f. 464)
Kjo farë ka në damarë gjak ujku: Hej!-ia pritën ata për ta ҫue kuvendin ma gjatë e të harronte djali dhimbën ma të fortë se varra e plumbit bri në bri.- E dimë si të ka kërcye zemra në atë fill! Je i fiisit dhe fara jote s’ka gjak breshke ndër dej, por ujku! (Camaj, 2017, f. 464)
Camaj përfshin edhe episode ku malësorët punojnë, duke na njoftuar me jetën e tyre, përfshin episode edhe nga martesa e tyre, mënyra se si i bëjnë dasmat, mënyra se si vallëzojnë valle të ndryshme: Dasmorët hiqnin valle e këndonin melodi të lashta, si ato shkodrane, mbi lule vendëse e për bazilokun, erë-miorë mbi të gjitha barnat e fshehuna mbas gurëve në muzg. (Camaj, 2017, f. 541)
Shfaq edhe pajën e nuses, por gjithmonë duke ia dhënë edhe ndonjë tipar, që e ka breshkën apo rrashtën e saj në qendër, siçështë rasti kur në pajë gjen edhe një rrashtë breshke: Prej arkës së vet ajo nxori një kutizë, punue me dru ҫedri, plot me filigrane të hershme. Ndër to më shkoi syni te skeleti i një breshke argjandi. Grueja, tue folë me za të mbushun sirene, tha: ‘Kutinë e atë që ka mbrendë, gjithҫka, po ia fal sime bijë, pos kësaj teshe!” Dhe mbuloi zilishëm figurëzëzn e breshkës nën linja që kishte veshë’. (Camaj, 2017, f. 541)
Breshka në pajën e nuses mund të shpjegohet pikërisht si simbol jo vetëm i jetëgjatësisë, por edhe i begatisë dhe pjellorisë.
Intertekstualiteti dhe mënyra e shfaqjes së tij
Madrigalet e Camajt i karakterizon edhe intertekstualiteti. Autori përdor citime të burimeve të ndryshme të cilat e pasurojnë stilin e tij të shkrimit si dhe anën kontekstuale të madrigaleve. Djali në një rast këndon këngën:
Po bie borë-për malsorë
Po bie shi-për bujri. (Camaj, 2017, f. 487)
Duke e vërejtur që Camaj ka një lidhje shumë të veçantë edhe me romantizmin arbëresh, shohim që si intertekst ai përdor një rapsodi arbëreshe:
Shqitëza e baardh e bardh
Lëreu fershllimzën
Të shkrihej dejti. (Camaj, 2017, f. 501)
Dranja është ajo që këndon një këngë të lashtë:
Shpejtë me dalë te tbani
Se ka shpërthye ahi!.(Camaj, 2017, f.539)
Shkundullima e cila shfrytëzohet për t’i barazuar shtresat shoqërore, te këngët e Milosaos të De Radës, e zë edhe Dranjën, breshkën e Camajt: Vjetin që ra shkundullima në Shkodër, Dranja e kaloi dimnin atje në një katue bamirësish ndër gjethe të thame qepësh e rraqesh të vjetra. (Camaj, 2017, f. 469)
Udhëtimi si determinim jetese
Dranja udhëton gjithmonë. Udhëtimin ajo e bën në kërkim të ushqimit i cili ia kushtëzon jetesën. Por, ky udhëtim nuk jepet vetëm në trajtën denotative. Ai mbushet me një konotacion të thellë. Dranja udhëton në tempuj ku njihet me artin dorik. Dranja nëpërmjet zhvendosjeve të saj bën zhvendosje që nga epoka e paganizmit dhe antikitetit e deri në ditët e sotme. Në fillim paraqitet paganizmi, mitet pagane, më pas kalohet në antikitet, duke ardhur deri në epokën e modernizmit e që duket sikur përmbyset gjithçka. Kjo vërehet sidomos te përshkrimet të cilat i bën autori. Dranja nuk ha më ushqim të zakonshëm: Në pluhën gëlqerje e gur të grimësuem prej armëve të randa gjithfarësh, ajo lypi fletë të njoma hithash si i jati e gjyshi, por gjeti diçka edhe ma të mirë: Tul buke që tretën vrojtuesit, sallam të prishun në letër, lëvore fiqsh e pjeshkash dhe diçka tjetër që askush s’e kishte pritë, një lëvore banane. (Camaj, 2017, f. 470)
Natyra dhe paralelizimi me natyrën
Dranja e Camajt, ashtu sikur njeriu, bashkëjeton me tokën, me natyrën. Lidhja e saj me të na kujton perëndinë greke të Tokës, Anteun. Camaj e ndërton tekstin në atë mënyrë që ngjarjet të cilat zhvillohen, gjithmonë paraqiten në të njëjtin relacion me natyrën, paralelizohen me të. Në tekst shihen përshkrime të herëpashershme të natyrës: Vjeshta po kalon ndërrueshëm me vapë e fortunë, dridhje shtërpie lara-lara nëpër dushk. Thonë: kohën që vjen askush të mos presë një ditë të mirë. Si kështu! Kaq pabesim në jetë? (Camaj, 2017, f. 463)
Natyra dhe Dranja kooekzistojnë në një relacion shkak/ pasojë. Nëse klima e jashtme është e ftohtë, atëherë Dranja do të shikojë për ndonjë zgjidhje për mbrojtje. Ajo ka aftësi shqisore ta parashikojë motin: Klima kontinentale nuk i pëlqen Dranjës, as murrlani që ulet dy-tri herë në motmot prej Veriut. Ajo me qindra kilometra larg ia ndjeu vrullin erës së borës tue u ulë viseve si fshesë. (Camaj, 2017, f. 467)
Jeta e Dranjës dhe mplakja e saj jepen pikërisht nëpërmjet natyrës për shkak se autori kalueshmërinë e kohës e jep nëpërmjet ndryshimit të stinëve në natyrë. Ndonëse për njeriun ekzistojnë katër stinë, Dranja njeh vetëm dy sosh: Mjafton me thanë se ajo mot-motit i njeh dy stinë: dimën e verë! (Camaj, 2017, f. 453)
Dranja dhe folklori
Lidhja e Camajt me folklorin shihet qysh në momentin kur ai zgjedh dialektin gegë për t’i shkruar madrigalet. Zgjedhjen e këtij dialekti ia kushtëzon edhe hapësira në të cilën ai e zhvillon ngjarjen, Cukali, duke pasqyruar një jetë malsorësh, kulturën dhe traditën e tyre. Për Camajn folklori është burim i identitetit, për këtë arsye edhe rrashta e Dranjës vendoset pikërisht aty: Ashti i Dranjës rri nën hijen e librit të folklorit me germa të prarueme në siprinë. (Camaj, 2017, f. 534)
Ndonëse koha kalon, ndonëse jepet një pasqyrim që nga koha pagane, që del nëpërmjet miteve e deri në kohën moderne që del nëpërmjet përshkrimeve të Camajt, ajo që mbetet, apo thelbi i gjithçkaje,është folklori. Folklori del si pasqyrim i një jete dhe i një kulture të një vendi, që në këtë rast janë shqiptarët. Camaj e ndërton veprën e vet duke e pasur parasysh pikërisht këtë anë. Prandaj, pleqtë e tij kanë plisa të bardhë, prandaj gjakësorët mbajnë shamia të lidhura, për këtë arsye ata rrinë te vatra, për këtë arsye ata flasin dialektin gegë, mallkojnë, vallëzojnë, flasin me sentenca, për ta paraqitur kështu një kulturë dhe identitet tipik shqiptar. Gjithçka që del e re, moderne, në mënyrë alegorike, nuk është asgjë tjetër vetëm pasqyrim i këtij folklori qysh në zanafillën e tij të hershme. Figurativisht, Camaj, ashtin e Dranjës e vendos nën hijen e librit të folklorit, i cili ka përkrah libra të tjerë. Këta libra ia ndjekin fillin e breshkës: Autorët e lashtë, historianë e poetë, e ndiejnë praninë e Dranjës në lëpizën e bibliotekës. Ata vetëm ia ndjekin fillin breshkës deri në zanafillë. Ndër blejtë e tyne gjinden shëmbllesa ku del në pah se të parët e rrashtës kanë pasë punë edhe me zota. (Camaj, 2017, f. 535)
Camaj e ndërton veprën e tij duke pasur parasysh pikërisht këto anë, duke tentuar që këto t’i paraqesë edhe nëpërmjet stilit të shkrimit, por edhe nëpërmjet gjuhës figurative.
Në këtë mënyrë vepra Dranja e Camajt, që del si një rikonfigurim i formës së madrigalit, paraqet jetesën e një frymori, që i vihet epiteti i papërsosur. Ky frymor nuk është as i egër, as i zbutur. Ky frymor ndodhet gjithmonë në praninë e njerëzve, në jetën e tyre. Gjithmonë ndodhet në ndonjë qysh, ecën në rrugën e vet, pa i penguar të tjerët, gjithmonë është aty, por askushnuk ia ndien praninë. Është, thjesht, e harruar dhe pikërisht këtu barazohet me folklorin, bazën e letërsisë. Ndonëse e vjetra në kohët moderne nuk shihet, apo harrohet, qenësia e saj s’mund të mohohet, sepse ajo ndodhet aty. Edhe nëse në mënyrë alegorike i vdes mishi, është ashti ai që asnjëherë nuk zhduket.
Camaj e ndërton veprën me një stil të zgjedhur dhe një gjuhë figurative. Ndonëse si formë e jashtme, shkrimi i tij nuk ruan trajtën e poezisë, si brendësi e shohim që teksti ruan gjuhën figurative, të mbushur me simbole. Kjo gjuhë figurative arrin t’i japë një konotacion të thellë veprës, duke lënë hapësirë për shpjegime dhe argumentime të ndryshme. Nëpërmjet kësaj vepre pasqyrohet më së miri lidhja e Camajt me kulturën dhe traditën popullore. Kjo kulturë dhe traditë zhvillohet dhe ndryshon bashkë me rrugëtimin e një breshke, e cila në fillim është fëmijë, më pas rritet dhe jeton e në fund vdes, por ai që mbetet është ashti i saj. Ky asht e tregon praninë e saj të dikurshme, mbetet vetëm një pjesë e cila vendoset herë në njërin vend e herë në vendin tjetër, por që është gjithmonë aty. Për ta plotësuar të gjithë këtë, Camaj e shkruan veprën në dialektin gegë, duke zgjedhur fjalët dhe ritmin e tingëllimën e tyre të bukur. Këtyre fjalëve ai u jep një qetësi, maturi, që ngjallin ndjenjën e ritmit të ecjes së breshkës me ngadalësi.
Dranja nuk është një kafshë e zakonshme. Është një frymor i papërsosur, cikli jetësor i së cilës zhvillohet në tri pjesë të veprës, të ndërlidhura me njëra-tjetrën në kuadër të logosit, i cili, në bashkim me lexisin, formon tekstin letrar që, në thelb, ka një gjuhë shumë figurative dhe stil tejet të veçantë dhe mjeshtëror, i cili e karakterizon vetëm Camajn. Këto dy anë sinkronizohen duke na dhënë kështu një tërësi letrare, që niset me mitin, besimet pagane e që udhëton deri në ditët e sotme, në kohët moderne ku, ndonëse e harruar, bën që të ndihet prania e saj. /Revista “Akademia”/Telegrafi/
____________
Literatura
Camaj, M., Vepra poetike, Onufri, Tiranë, 2017
Gerard, G., Diskursi i ri i rrëfimit, Dy lindje & dy perëndime, Tiranë, 2014
Gerard, G., Figura III, Dy lindje & dy perëndime, Prishtinë, 2017
Chevrel, Y., Letërsia e krahasuar, Albin, Tiranë, 2002
Gros, N. P., Poetika e intertekstualitetit, Parnas, Prishtinë, 2011
Jefferson, A., Robey, D., Teoria letrare moderne, Albas, Tiranë, 2004
Krasniqi, N., Letërsia e Kosovës 1953-2000, Aikd-99, Prishtinë, 2016
Rrahmani, Z., Teoria e letërsisë, Faik Konica, Prishtinë, 2008
Shala, K., Prolepsa, Aikd-99, Prishtinë, 2011
Wellek, R., Warren, A., Teoria e letërsisë, Onufri, Tiranë,2007
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëDavid Gilmour dhe Polly Samson për vdekjen, drogën, jetën martesore dhe grupin Pink Floyd
Pasojat e vërteta të identiteteve që formohen mënyrë traumatike njihen thellë vetëm në fund të jetës
Kompozitori i parë i muzikës së kultivuar shqiptare
Letrat nga kampet e Shqipërisë, nënës në Itali: Mos u merakos nëse ndonjëherë të shkruaj zi
Këto pesë vepra të çuditshme surrealiste nuk janë ashtu siç duken!
Kush ishte Zonja e Parë e Prishtinës?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit