Dosja “Çopja”, SPAK dërgon në gjyq 33 të pandehur për vrasje me pagesë, trafik kokaine dhe korrupsion në drejtësi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen voluminoze ndaj Organizatës Kriminale “Çopja”, duke akuzuar gjithsej 33 persona. Dosja zbardh një veprimtari kriminale të shtrirë ndërkombëtarisht, të fokusuar në trafikun e kokainës, vrasjet me pagesë, si dhe korrupsionin e funksionarëve të drejtësisë dhe Policisë.
Sipas njoftimit për shtyp, organizata, e drejtuar nga vëllezërit Franc Gergely (Çopja) dhe Hajdar Bako (Çopja), ishte bërë e njohur ndërkombëtarisht përmes shkëmbimit të mesazheve të koduara SKYECC.
Nga vrasjet tek korrupsioni i gjyqtarëve
Veprimtaria e organizatës “Çopja”, e cila filloi me trafik droge në sasi të vogla rreth viteve 2006-2007, u fuqizua pas vitit 2018 duke u shndërruar në një strukturë të mirëfilltë kriminale.
Akuza kryesore mbi 33 të pandehurit përfshijnë vrasje dhe tentativa për vrasje me pagesë, përfshirë ekzekutimet e bujshme si e 29 dhjetorit 2018 në Bradashesh (viktimat Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay) dhe vrasjen e Klevin Bahos në Elbasan. Hetimi dokumenton gjithashtu planifikimin e vrasjeve në dëm të kundërshtarëve si Erion Alibej dhe Nuredin Dumani.
Korrupsion në drejtësi dhe polici
Organizata arriti të korruptojë funksionarë me qëllim mbylljen e çështjeve në ngarkim të tyre. Ndër të akuzuarit janë ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetah, dhe sekretarja gjyqësore Denada Toda.
Për mbështetje operative akuzohen punonjës policie si Agustin Çinari (DVP Durrës) dhe Martin Musaj (DVP Elbasan) për shpërdorim detyre dhe rekrutim për marrje informacioni.
Pastrimi i parave
Të ardhurat nga trafiku i kokainës investoheshin në Shqipëri, kryesisht në sektorin imobiliar (apartamente, vila, bare, restorante) në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, shpesh në emër të personave të tretë. Një pjesë e pastrimit është dokumentuar përmes zyrës së këmbimit valutor “B.LIKA CIMI & KENI” EXCHANGE.
Sekuestrime masive
Në kuadër të procedimit penal, SPAK ka kryer sekuestrime masive, të cilat përfshijnë më shumë se 40 prona të paluajtshme (vila, apartamente, toka dhe pasuri shërbimi) dhe llogari bankare në disa banka të nivelit të dytë. Vendimet për sekuestro preventive, përfshirë ato të dhjetorit 2024, kanë prekur pasuritë e paluajtshme dhe llogaritë bankare të disa prej të akuzuarve.
Tani, dosja do t’i kalojë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për nisjen e procesit gjyqësor ndaj 33 anëtarëve të dyshuar të organizatës kriminale./RTSH



















































