Dortmundi kryen punën, eliminon Sevillan dhe vazhdon në çerekfinale

Ashtu siç pritej, Borussia Dortmundi është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në dëm të Sevillas duke triumfuar me rezultat të përgjithshëm prej 5-4.
Sfida e parë e zhvilluar në Andaluzi u mbyll me fitore prej 3-2 të skuadrës gjermane, ndërsa ekipet luajtën baras në sfidën e kthimit (2-2) dhe BVB vazhdoi në fazën tjetër.
Pas një aksioni të rrjedhshëm të vendasve në Signal Iduna Park, Marco Reus asistoi në zonë te Erling Haaland, i cili nuk e pati të vështirë ta fuste topin në rrjetë (35’).

Sulmuesi norvegjez e futi topin në rrjetë porsa filloi gjysma e dytë, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, goli u anulua për ndërhyrje të palejuar.
Sidoqoftë, Haaland e dyfishoi epërsinë me një gol të shënuar nga penalltia (54’). Po nga penalltia shënuan edhe mysafirët me anë të Youssef En-Nesyri (69’) vetëm sa për ta ngushtuar rezultatin.
Në minutat shtesë të takimit (90’+6), Youssef En Nesyri shënoi edhe një gol për Sevillan, mirëpo kjo nuk e pengoi Borussia Dortmundin që të vazhdojë në çerekfinale. /Telegrafi/
https://twitter.com/ElForastero1982/status/1369389046011748352
https://twitter.com/ElForastero1982/status/1369396439240089604
https://twitter.com/ElForastero1982/status/1369400024946384898
https://twitter.com/ElForastero1982/status/1369406727389601793




































