Zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit kanë qenë temë e diskutimit në emisionin RTK Prime.

Panelistët në studio diskutuan e analizuan deklarimet e liderit të LDK-së Lumir Abdixhiku pas takimit që ky i fundit ka pasur me nënkryetarët e LDK-së, aty ku Abdixhiku përsëriti se dorëheqjen do ta ofrojë në organin më të lartë të partisë, kuvendin e LDK-së.


Artan Alijaj, ekspert për qeverisje dhe procese politike tha se po të donte Abdixhiku të jepte dorëheqje nga kreu i partisë, këtë do ta bënte të dielën e 28 dhjetorit pas rezultatit zgjedhor të LDK-së.

“Kjo që u tha për mua është e pakuptimtë. Nuk ka nevojë të pritet Kuvendi dhe të jepet dorëheqje para Kuvendit dhe nuk ka nevojë ta pranojë askush atë dorëheqje. Nëse do të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit ka mundur të japë dorëheqje e të largohet menjëherë”, tha ai.

Politologu Melazim Koci, deklarimet e Abdixhikut i ka quajtur si tentim për të amortizuar, siç tha ai, kërkesat që i bëhen për të dhënë dorëheqje, raporton RTK.

“E dëgjova një pjesë ku pyetet nëse do të mbetet kryetar, nëse vendimi i Kryesisë dhe Kuvendit do të jetë që ai të mbetet, dhe ai thotë po, se ai do ta respektojë vendimin. Supozoj që Kryesia do ta refuzojë me shumicë dorëheqjen e tij. Nëse Kuvendi e miraton dorëheqjen e Abdixhkikut unë nuk e përjashtoj mundësinë që do të ketë dridhje të madhe brenda LDK-së e do të ketë largime të mëdha, sepse edhe janë në gjendje të rëndë. LDK-së i duhet një rifreskim, nuk do të mjaftojë vetëm dorëheqja e Abdixhikut”, tha Koci.

Profesoresha, Besa Luzha tha se LDK-ja duhet të analizojë problemin e vetë nga aspekti strukturor.

“Si ndodhi që me 9 shkurt të kishte një lloj ngritje dhe u vlerësua kaq shumë kontributi i këtij lidershipi e brenda një kohe të shkurtër pati rënie me po të njëjtin lidership. Këtu duhet të hyhet më thellë. Unë e pashë si një lloj obligimi moral që e ka ndierë. Të gjithë kanë pritur do të jepte atë ditë dorëheqje, por unë nuk kam pritur atë ditë të jepte dorëheqje. Unë personalisht kam menduar që atë ditë nuk ka qenë koha të ofrohet, sepse ka qenë shumë shok i madh edhe për të edhe për Kryesinë”, tha Luzha në RTK Prime.

Muhamet Hajrullahu analist tha se ka parë vullnet tek Abdixhiku për të dhënë dorëheqje.

“Unë pashë vullnet të Lumir Abdixhikut me dhënë dorëheqje, ka vullnet që e ka lënë në dorë të Kuvendit të partisë. Përgjegjësia vjen nga Abdixhiku dhe i gjithë lidershipi i partisë”, deklaroi Hajrullahu në RTK Prime.