LAJMI I FUNDIT:

Donald Trump ka shumë të drejtë, por edhe gabon rëndë

Donald Trump ka shumë të drejtë, por edhe gabon rëndë

Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Donald Trump nuk është as Profet dhe as Djall. Adhuruesit e tij dhe urrejtësit e tij gabojnë njësoj. Realiteti është më i ndërlikuar. Ekziston një Trump i mirë dhe një Trump i keq, dhe të dy bashkëjetojnë në tension brenda personalitetit të presidentit.

Ai ka absolutisht të drejtë për disa çështje dhe është jashtëzakonisht i gabuar për të tjera. Ai është një figurë e jashtëzakonshme që do të skalisë Amerikën për një brez të tërë, por narcizmi i tij, marrëdhënia e tij e lirshme me faktet dhe respekti i tepruar për autokratët, e nxisin atë të luajë kumar me fatin e botës së lirë.


Kur Trump është i mirë, ai është vërtet i shkëlqyer. Në të drejtat e grave, në luftën kundër antisemitizmit, në mbështetjen për Izraelin, imigracionin e paligjshëm, objektivin neto zero [për gazrat serrë], çmontimin e çmendurisë së zgjimit [woke], ndërtimin e një meritokracie pa dallime racore, lirinë e fjalës, taksat, çrregullimin e tregjeve, shpenzimet, luftën kundër shpërdorimit dhe çmontimin e burokracisë së panevojshme … politikat e tij janë frymëzuese.

Megjithatë, kur Trumpi negativ merr kontrollin, ai është vërtet katastrofik. Ai e ka bindur veten për një narrativë të rreme që fajëson viktimën në çështjen e Ukrainës, që kënaqet duke poshtëruar presidentin e saj drejtpërdrejt në televizion, që po e detyron Volodymyr Zelenskyn të dorëzohet duke i ndërprerë ndihmën ushtarake dhe që duket se e ka të vështirë të shohë Vladimir Putinin si një përbindësh gjenocidal që në fakt është.

Trumpi duket i sinqertë në dëshirën e tij për të arritur paqen, dhe Zelensky nuk e ka menaxhuar mirë situatën, por, për ne që jemi të detyruar të mbështetemi te Pax Americana-n [paqen e qëndrueshme], ideja që ShBA-ja mund të braktisë Perëndimin është e frikshme. Njoftimi i Kinës se është e gatshme për “çdo lloj lufte” nuk ishte aspak qetësues.

Po, qeveritë tona të pafuqishme dhe që mbështesin ndihmat sociale duhet të shpenzojnë shumë më tepër për mbrojtjen, por Trumpi shpesh i trajton aleatët më besnikë si vasalë ose si lypës të parëndësishëm, që mund të shpërfillen ose t’ju nënshtrohen tatimeve sipas takave së tij. Për të, gjithçka është transaksionale; miqësitë nuk kanë thuajse asnjë rëndësi – për zhgënjimin e madh të atyre prej nesh që e duan Amerikën. Ai po shkatërron marrëveshjen e tij të tregtisë me Kanadanë dhe Meksikën mbi bazën e një ekonomie të rreme dhe dëshiron të zgjerojë territorin e Amerikës.

Për shumë republikanë amerikanë, përgjigjja është e thjeshtë: ata e adhurojnë Trumpin dhe arsyetojnë në mënyrë refleksive për gjithçka që bën. Partitë politike të djathta dhe populiste jashtë Amerikës, përfshirë konservatorët britanikë dhe partinë Reform, nuk mund të bien në të njëjtën kurth.

Ata dhe votuesit e tyre shpresonin që një valë e Trumpit do t’i çlironte edhe ata nga prangat e socializmit, çmimet e larta të energjisë dhe ideologjia e zgjimit, dhe ata e pëlqyen fjalimin e JD Vanceit në Munih. Por, ndërsa Trumpi pozitiv po e zhvendos Dritaren e Overtonit [qasjen politike] globalisht në të djathtën, Trumpi negativ po ua vështirëson jetën aleatëve të tij politikë dhe po i jep energji kundërpërgjigjes globale të së majtës.

Të djathtët nuk mund të jenë tepër të nënshtruar dhe duhet ta mbështesin Trumpin kur ai ka të drejtë dhe ta kritikojnë kur ai nuk ka. Kjo ka filluar të ndodhë.

Nigel Farage deklaroi se JD Vance e kishte “gabim, gabim, gabim”, pasi nënpresidenti amerikan hodhi poshtë mundësinë e dërgimit të ushtarëve evropianë në Ukrainë, duke i përshkruar ata si “20 mijë trupa nga ndonjë vend i rastësishëm që nuk ka luftuar për 30 apo 40 vjet”. Shumë vetë e interpretuan këtë si një fyerje ndaj sakrificave të mëdha të Britanisë në Irak dhe Afganistan (Vance thotë se është keqkuptuar). [Opozita nën] Kemi Badenoch është distancuar gjithashtu nga Trumpi për shkak të politikës së tij ndaj Ukrainës.

Manifesti i MAGA-s [Bëje Amerikën përsëri të madhe] shpesh është më shumë imperialist sesa nacionalist, me ambiciet ekspansioniste të Trumpit që ndërthurin interesat tregtare dhe ushtarake – në një mënyrë të ngjashme me iniciativën kineze Brez dhe Rrugë. Të huajt mund ta pranojnë nacionalizmin amerikan, por nuk do të tolerojnë imperializmin amerikan, sidomos kur ai është qartazi shfrytëzues.

Presidenti i ShBA-së është tashmë jopopullor në Britani, madje edhe mes votuesve të djathtë. Sipas një sondazhi të kryer nga YouGov, 76 për qind e votuesve mendojnë se ai po e menaxhon keq luftën në Ukrainë, kundrejt vetëm 13 për qind që besojnë të kundërtën. Ndërkohë, Reform-a po renditet me 25 për qind të votave, ndërsa konservatorët me 21 për qind, një total prej 46 për qind: llogaritë më agresive pro-Trump në X nuk janë përfaqësuese të ndjesive të djathta në Britani. Në të gjithë Evropën, votuesit patriotë janë alergjikë kur shohin politikanët e tyre që trajtohen me përbuzje dhe kanë shqetësime të drejta për sanksionet tregtare.

Projekti MAGA nuk mund të bartet plotësisht në politikën e vendeve të tjera perëndimore; ai nuk është një model koherent dhe racional ideologjik që mund të zbatohet në çdo komb tjetër.

Është politikë shoubizi, një manifestim i Teorisë së Burrit të Madh në histori, një lojë force e një miliarderi unik amerikan në një botë gjithnjë e më multipolare, dhe jo një manual gjithëpërfshirës politik. Nuk mund të kuptosh MAGA-n pa parë episodet e vjetra të [spektaklit televiziv] The Apprentice, pa njohur mekanizmat e mediave sociale dhe ekonominë e vëmendjes, pa studiuar antropologjinë e pasurive të patundshme në Nju-Jork, pa kuptuar pse Lugina e Silikonit [Silicon Valley] u rebelua kundër Uashingtonit, ose pa pranuar dominimin e dollarit dhe parëndësinë ekonomike të Evropës.

Trumpi dëshiron të vendosë Amerikën të Parën [America First]: qëllimi është në këtë emërtim. Çfarë funksionon për të djathtën amerikane nuk mund të funksionojë automatikisht për të djathtën britanike, kanadeze, tajvaneze apo australiane. Interesi kombëtar i Amerikës shpesh do të jetë në kundërshtim të plotë me atë të vendeve të tjera. MAGA nuk është një manifest politik që mund të kopjohet e të aplikohet pa modifikime jashtë Amerikës. Përpjekja për ta bërë këtë do të çonte në një dështim të ngjashëm me refuzimin e një transplanti organesh, ku sistemi imunitar i vendit pritës do ta trajtonte MAGA-n si një trup të huaj dhe të papajtueshëm.

Rasti i Kanadasë e ilustron këtë më së miri. Pierre Poilievre, lideri i djathtë, ishte në rrugën drejt fitores pas një mandati katastrofik të Justin Trudeaus – një kryeministër super-zgjim [uber-woke]. Por, më pas erdhi Trumpi, e shpalli Kanadanë si shtetin e 51-të të Amerikës dhe vendosi tarifa. Mark Carney, ish-guvernatori i Bankës së Anglisë dhe pasardhësi i mundshëm i Trudeaus si lider i së majtës, përfitoi menjëherë nga kjo situatë dhe u rrit ndjeshëm në sondazhe. Poilievre po kundërpërgjigjet duke u bërë haptazi anti-Trump dhe anti-amerikan. Dy vende që, natyrshëm, duhet të ishin aleatët më të ngushtë, tani janë pothuajse në një gjendje të luftës tregtare.

Mbreti i Britanisë është gjithashtu kreu i shtetit të Kanadasë – çfarë do të thotë kjo për Britaninë në këtë situatë të tensionuar?

Elitat e majta në të gjithë Perëndimin nuk po u besojnë syve nga kjo rrëmujë dhe e kanë bërë të qartë strategjinë e tyre: ata mund të bëjnë disa lëshime ndaj agjendës së Trumpit duke rritur shpenzimet për mbrojtjen, por duke u mbështetur në idenë se agresiviteti i tij do të largojë votuesit nga të gjitha partitë dhe kauzat e djathta. Laburistët dhe liberaldemokratët shpresojnë se zemërimi ndaj Trumpit për Ukrainën do të ndihmojë kauzën e ribashkimit me BE-në [Rejoin].

Ndërkohë, avokatët e së majtës do të argumentojnë se, ndryshe nga Reform-a dhe ndoshta edhe konservatorët, Britania nuk duhet të largohet nga ECHR (Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut), pasi çdo gjë që minon “rendin global” duhet të pengohet. Imperializmi i tepruar i Trumpit mund të shkatërrojë kundër-revolucionin e djathtë global, që për Britaninë dhe Evropën është shpresa e vetme për shpëtim. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Qeveria merr vendim, mbyllet platforma TikTok në Shqipëri

Qeveria merr vendim, mbyllet platforma TikTok në Shqipëri

Lajme
Aleatët kryesorë të Trump mbajtën bisedime sekrete me kundërshtarët politikë të Zelensky - Timoshenkon dhe Poroshenkon

Aleatët kryesorë të Trump mbajtën bisedime sekrete me kundërshtarët politikë të Zelensky - Timoshenkon dhe Poroshenkon

Evropa
​Kurti, politikani më i votuari në Kosovë – thyen rekordin e presidentes Vjosa Osmani

​Kurti, politikani më i votuari në Kosovë – thyen rekordin e presidentes Vjosa Osmani

Lajme
Sërish situatë kaotike në Serbi, kësaj radhe para objektit të Komunës së Beogradit, qytetarët përfshihen në rrahje masive me sigurimin e objektit

Sërish situatë kaotike në Serbi, kësaj radhe para objektit të Komunës së Beogradit, qytetarët përfshihen në rrahje masive me sigurimin e objektit

Serbia
Si do të dukej një Gaza e ardhshme sipas planit 53 miliardë dollarësh të Egjiptit

Si do të dukej një Gaza e ardhshme sipas planit 53 miliardë dollarësh të Egjiptit

Azia
Trump po përgatitet të nënshkruajë urdhrin për mbylljen e Departamentit të Arsimit

Trump po përgatitet të nënshkruajë urdhrin për mbylljen e Departamentit të Arsimit

Amerika
Kalo në kategori