Doktirinë e përbashkët ushtarake? Eksperti Shala: Ç’po fshihet pas aleancës Shqipëri-Kosovë-Kroaci?

Eksperti i sigurisë Drizan Shala komentoi takimin e radhës trepalësh midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, i cili u zhvillua në Mynih.
Sipas Shalës, ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt formësimit gradual dhe nga kjo marrëveshjeje trilaterale parashikohet dhe krijimi i një batalioni të përbashkët ushtarak dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë.
Shala tha se kjo nismë synon të krijojë një aleancë rajonale të sigurisë në stilin e NATO-s, ku komponentët përfshijnë një qendër të përbashkët për shkëmbimin e informacionit inteligjent dhe zhvillimin e industrisë së përbashkët ushtarake.
Ai në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania shtoi se marrëveshja rajonale mund të ketë mbështetjen e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar gjithashtu sfidat e sigurisë nga vendet që nuk janë anëtare të NATO-s, si Serbia.
“Po formësohet marrëveshja trilaterale. Dhe në këtë segment duhet të theksohet fakti që do të kemi një ushtrim të përbashkët ushtarak. Po, dhe ky ushtrim i përbashkët ushtarak do të thotë krijimin e një batalioni të përbashkët ushtarak në afatmesëm. Pra, dalëngadalë po formohet një aleancë rajonale në konceptin e NATO-s. A po kalojnë nga marrëveshja ushtarake në aleancë rajonale ushtarake. Pra, ne, dalëngadalë, jemi duke formësuar – ose mund të themi që jemi të parët në konceptin NATO-s ku do të kemi një aleancë rajonale të sigurisë, ku pjesë përbërëse janë, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova".
"Takimi ishte pikërisht në formësimin e konceptit të kësaj marrëveshjeje, ku baza kryesore do të mbetet padyshim krijimi i batalionit të përbashkët ushtarak. Njëkohësisht, si segment i dytë, do të jetë krijimi i një ‘Joint Center’ për shkëmbim të informacioneve inteligjente ushtarake dhe segmenti i tretë, padyshim, do të jetë në aspektin e krijimit të industrisë së përbashkët ushtarake”, shtoi ai.
- YouTube youtu.be



















































