Në Gjykatën e Prishtinës, sot më 01.09.2025, është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Milan Niqiq i akuzuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj tre të pandehurve të tjerë: Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler, të akuzuar për veprën penale “kontrabandimi i mallrave”.

Niqiq akuzohet se në cilësinë e doganierit në Aeroportin e Prishtinës, nuk i ka ndaluar në shiritin hyrës- te kontrolla, tre të pandehurit e apostrofuar të cilët vinin nga Turqia, e të cilit sipas aktakuzës kishin me vete 7 valixhe të mëdha dhe 3 valixhe të vogla të mbushura me barna të kontrabanduara, vlera e të cilave sipas inspektorëve farmaceutik ishte rreth 150.000.00 euro.


Në fillim të seancës, gjyqtari Alban Ajvazi, tha se tre të pandehurit: Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë me Prokurorin e Shtetit.

Fillimisht u deklarua Prokurori i shtetit, Besnik Jakupi, lidhur me marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, ndërsa pas kësaj tre të pandehurit u deklaruan se qëndrojnë pranë marrëveshjes së lidhur.

Ata pohuan se marrëveshja është lidhur me vullnetin e lirë të tyre.

Po ashtu, edhe tre mbrojtësit e tyre: Fadil Jashari, Shpend Lushaku edhe Naim Rudari thanë se qëndrojnë pranë kësaj marrëveshjeje.

“Bazuar në kërkesën e mbrojtësve të të pandehurve që të hynë në negociata mbi marrëveshjen e mbi pranimin e fajësisë dhe bazuar në autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pas negociatave, kemi arritur marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë me të pandehurit Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler edhe Atakan Zerenler”- tha prokurori Jakupi.

Pas kësaj u lexua aktakuza nga Jakupi, vetëm sa i përket dispozitivit të aktakuzës për Milan Niqiq.

I pandehuri Milan Niqiq tha se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën po akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës.

Tutje gjyqtari Alban Ajvazi e njoftoi të akuzuarin Niqiq dhe mbrojtësin e tij se në afat brenda 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe Kërkesë për hedhje të Aktakuzës.

Prokuror Jakupi propozoi që ndaj të akuzuarit Niqiq të veçohet procedura penale, meqenëse tre të akuzuarit tjerë kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Gjykata e aprovoi propozimin e Prokurorit dhe mori aktvendim që procedura ndaj tij të veçohet.

Gjyqtari Ajvazi tha se shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale lidhur me tre të pandehurit: Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler do të mbahet më datë 04.09.2025.

Kjo çështje penale po trajtohet në Departament Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës me kryetar të trupit gjykues Alban Ajvazi.

DOSJA E PROKURORISË

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26.08.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Niqiq për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe tre të pandehurve të tjerë: Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler për veprën penale “kontrabandimi i mallrave”.

Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO thuhet se i pandehuri Niqiq, në cilësinë e personit zyrtar, doganier në Doganën e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke vepruar me dashje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore të personit tjetër- tani të pandehurve Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler, nuk i ka përmbushur detyrat e tij si person zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se me datë 02.05.2025 rreth orës 08:44 deri sa ishte në vendin e punës, në shiritin hyrës- te kontrolla dhe verifikimi në Aeroportin e Prishtinës, i pandehuri Niqiq nuk i ka ndaluar për kontroll të pandehurit: Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler, të cilët vinin nga Turqia.

Tutje në aktakuzë thuhet se Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler kishin me vete 7 valixhe të mëdha dhe 3 valixhe të vogla e që më pastaj kur ishin ndaluar nga Policia e Kosovës në pikë kontrolli ka rezultuar se të gjitha valixhet ishin të mbushura me barna të kontrabanduara pa banderola, e që sipas inspektorëve farmaceutik vlera e tyre ishte rreth 150.000.00 euro.

Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura, Niqiq nga Prokuroria e Prishtinës po akuzohet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se me datë 02.05.2025 rreth orës 10:30, Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler duke vepruar në bashkëkryerje, duke kaluar vijën kufitare bartin mallra dhe shmangin kontrollin doganor, kryejnë bartjen e mallrave dhe kalojnë vijën kufitare.

Tutje në aktakuzë thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur pas marrëveshjes paraprake kishin ardhur nga shteti i Turqisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ku me vete kishin pasur valixhe të mbushura me produkte medicinale, duke kaluar pikën kufitare në Aeroportin e Prishtinës pa i deklaruar, ashtu që Policia e Kosovës, në fshatin Sllatinë ka ndaluar dy vetura me targa vendore.

Gjithnjë sipas dosjes së prokurorisë, në veturën “Taxi” të tipit Audi A6, të cilën e drejtonte R.K., janë hasur disa valixhe të cilat kanë qenë të mbushura me barna të ndryshme. Ndërsa në veturën tjetër të tipit “Touran” në të cilën ka nëqenë tre të akuzuarit Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler, janë gjetur një sasi tjetër e barnave të ndryshme në sasi të konsiderueshme të vendosura po ashtu në valixhe, për të cilat të akuzuarit nuk kanë pas dokumentacione të nevojshme për transportimin/importimin e tyre.

Barnat thuhet se kanë qenë pa banderola (duke mos iu ditur prejardhja).

Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura tre të pandehurit Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler po akuzohen nga Prokuroria e Prishtinës për veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”.