Do të ketë vetëm ecje përpara

Me këtë rast, Thaçi e ka njoftuar homologun e tij shqiptar për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërinë në pjesën veriore të Kosovës. Në këtë drejtim, ai ka ritheksuar qëndrimin se nuk do të ketë kthim prapa, nuk do të ketë asnjë zmbrapsje, do të ketë vetëm ecje përpara dhe respektim të plotë të sovranitetit dhe integritetit të plotë të Republikës së Kosovës edhe në atë pjesë të vendit.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Thaçi është shprehur se me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veriun e Kosovës, është arritur 12 vjet pas luftës të ndërpritet dhe të bllokohet në tërësi kontrabanda në pjesën veriore të Kosovës.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha shprehu mirëkuptimin dhe mbështetjen e fuqishme të tij dhe të Qeverisë së Shqipërisë për vendimin legjitim të Qeverisë së Kosovës. Ai i ka ofruar kryeministrit Thaçi mbështetjen e parezervë të shtetit shqiptar për qeverinë kosovare në këtë drejtim.
Të dy kryeministrat u pajtuan se çdo tendencë për të rihapur çështjen e ndryshimit të kufijve nënkupton pasoja dhe ndryshim të kufijve në tërë rajonin. /Telegrafi/










































