Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka kundërshtuar vendimin e Presidentes për ta referuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas DnV-së, ky veprim rrezikon të vonojë kompletimin e këtij institucioni në një moment kur funksionaliteti i tij është thelbësor për integritetin e proceseve zgjedhore.


Në reagim thuhet se përbërja e KQZ-së është e përcaktuar qartë me Kushtetutë dhe ligj, përmes një modeli strikt të përfaqësimit që nuk lidhet drejtpërdrejt me rezultatin zgjedhor apo peshën politike të subjekteve.

“Ky model nuk lidhet drejtpërdrejtë me rezultatin zgjedhor apo peshën politike të subjekteve në kuptim të numrave, por me parimin e balancës ndërmjet grupeve parlamentare që kanë të drejtë propozimi", thuhet në reagim.

DnV thekson se kjo qasje është zbatuar vazhdimisht edhe në praktikën e mëhershme, përfshirë periudhën pas zgjedhjeve të vitit 2021, kur përfaqësimi në KQZ është përcaktuar mbi bazën e këtij modeli.

Sipas këtij koalicioni, referimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese nuk sjell qartësi shtesë, por përkundrazi krijon vonesa të panevojshme në një proces që kërkon vendimmarrje të menjëhershme.

“Mosplotësimi i përbërjes së plotë të KQZ-së cenon konfigurimin e saj kushtetues prej 11 anëtarëve, duke ndikuar njëkohësisht në funksionimin dhe vendimmarrjen e saj", thekson DnV.

Në fund, “Demokracia në Veprim” i bën thirrje institucioneve që emërimi i anëtarit të mbetur të KQZ-së të përmbyllet pa vonesa, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet e vendosura, për të garantuar funksionimin dhe besueshmërinë e këtij institucioni. /Telegrafi/