Nga format e rrumbullakosura dhe materialet e qëndrueshme, te rikthimi retro dhe mobilimi modular që ndryshoi mënyrën e të jetuarit

Ndërsa i afrohemi fundit të vitit, është koha të hedhim një vështrim pas mbi trendet që kanë shënuar mobilimin e shtëpive tona.


Interierët nuk plotësojnë më vetëm kërkesat e funksionalitetit, por po shndërrohen në një vazhdim të personalitetit, estetikës dhe zakoneve të jetesës. Dizajnerët e interierit janë të një mendimi: viti 2025 ishte viti i formave inovative, materialeve të qëndrueshme dhe dizajnit të menduar me kujdes.

Në fokus u vendosën siluetat e buta dhe të rrumbullakosura - sofa, kolltuku dhe tavolina të vogla që ndjekin linjat natyrore të trupit dhe hapësirës. Ky trend solli ngrohtësi në dhomat e ndenjës, duke thyer njëkohësisht monotoninë e pjesëve strikte drejtvizore. Elementet e rrumbullakosura u bënë simbol i qetësisë, veçanërisht në interierët e frymëzuar nga minimalizmi, transmeton Telegrafi.


Një tjetër drejtim dominues ishte qëndrueshmëria. Materialet e ricikluara, druri i certifikuar dhe tekstilet ekologjike nuk janë më pjesë e një segmenti të ngushtë, por janë bërë standard. Blerësit, me të drejtë, nisën të kërkojnë transparencë mbi origjinën dhe jetëgjatësinë e produkteve, ndërsa brendet u përgjigjën me koleksione që njëkohësisht ndjekin stilin dhe kujdesen për mjedisin.


Dizajnerët theksojnë edhe rikthimin e papritur të elementeve retro. Nga stilit mid-century modern deri te tonet prej kadifeje të viteve ’70, nostalgjia pushtoi shtëpitë bashkëkohore. Dollapët me sirtarë, karriget e restauruara dhe detajet klasike gjetën një vend të ri në hapësirat moderne, duke sjellë një ngrohtësi të veçantë.


Një nga përgjigjet më praktike ndaj stilit të përshpejtuar të jetës ishte padyshim mobilimi modular. Sofa që përshtaten sipas hapësirës, tavolina që zgjaten dhe zgjidhje inteligjente për ruajtje mbizotëruan në shtëpitë me sipërfaqe më të vogël. Pjesët shumëfunksionale u dëshmuan ideale për hapësirat urbane dhe ritmin fleksibël të jetesës. /Telegrafi/