Anëtarja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor që vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ditmire Shehu deklaroi sot se ka ngritur padi në Gjykatën Administrative në lidhje me udhëzimin që e votoi KSHZ për uljen e numrit të këshilltarëve komunalë.

Kjo padi vjen pasi Qeveria e dërgoi vendimin për numrin e këshilltarëve në KSHZ, edhe pse kjo çështje është rregulluar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.


Si rezultat i kësaj, në 14 komuna do të zvogëlohet numri i këshilltarëve.

Shehu fillimisht kërkoi në seancë që udhëzimi të miratohet me konsensus, duke iu referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor, ndërkohë që në atë kohë ajo ishte e vetmja që u deklarua kundër këtij vendimi, i cili megjithatë u miratua me pesë vota “pro” dhe një “kundër”. Gjykata Administrative duhet t’i përgjigjet Shehut brenda 48 orëve më së voni.

Vendimi i Qeverisë, nga ana tjetër, rezultoi nga Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2021.

Komuna e Gostivarit do të pësojë zvogëlimin më të madh, ku nga 31 këshilltarë, numri u ul në 23. Sipas regjistrimit të vitit 2002, Komuna e Gostivarit kishte 80 mijë banorë, por në vitin 2021 numri u ul në 60 mijë banorë si rezultat i ndarjes së popullsisë rezidente dhe jorezidente.

Kundër vendimit të KSHZ-së, ankesë deri te Gjykata Kushtetuese paralajmëruan edhe nga BDI-ja. VLEN ka akuzuar BDI-në për fshirjen e diasporës nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021.