LAJMI I FUNDIT:

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Vuçiqit në Nju-Jork

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Vuçiqit në Nju-Jork
Ilustrimi: N1

Burimi: N1 [nga Draža Petrović]
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Bukur dukej delegacioni i Republikës së Serbisë, i pranishëm në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në të ishin dy personazhe jobinare, karakteri jobinar i të cilëve nuk karakterizohet nga fakti se nuk e dinin nëse janë meshkuj apo femra, por nga fakti se dukeshin sikur nuk janë plotësisht të sigurt nëse kanë fituar apo kanë humbur.

I pari ishte Aleksandar Vuçiqi, një personazh serbinar – i quajtur kështu sepse aq shumë theksoi se ishte nga Serbia saqë, në vend të kokoshkave, gjatë gjithë kohës kafshonte flamurin serb, fshinte fytyrën me flamurin serb dhe në fund u mbështoll me flamurin serb, ndaj dukej si personazh i kompletuar serbinar.


Ndonëse grimasat e tij gjatë seancës tregonin se ai mund të jetë arratisur nga ndonjë institucion i tipit të mbyllur – ndërsa Serbia është institucion i tipit të mbyllur – nuk ishte e habitshme që u mbështoll me flamurin serb si një tamam i çmendur të cilit i pëlqen që në vendet publike të mbështillet me flamujt serbë dhe të duket si Supermeni me pelerinë.

Pranë tij rrinte ulur Marko Gjuriqi, personazhi misterbinar i cili i kënaqi të gjithë anëtarët e pranishëm të Kombeve të Bashkuara, sepse ata kurrë nuk e kishin parë një njeri që ngjante kaq shumë me Mister Binin. Dhe, jo se i ngjan, por sepse është shkokërdhan si Mister Bini, qesharak si Mister Bini, duartroket si Mister Bini dhe i cili në një mënyrë është kipci i Mister Binit, por e vetmja gjë që e dallon nga Mister Bini është se Mister Bini kurrë nuk bërtiti në altoparlant, “Aco serbine!” [Serbi Aco, fjala është për Aleksandar Vuçiqin – shën. i përkth.]. Atë skeç gazmor e kishte menduar vetë ai, misterbinari Marko Gjuriq.

Prapa tyre rrinte ulur Suzana Vasileviqi [këshilltarja e Vuçiqit – shën. i përkth.], personi që gjatë gjithë kohës i fotografonte në telefon ato dy personazhe qesharake jobinare, serbinarin dhe misterbinarin, dhe herë pas here – siç u pa në transmetimin e drejtpërdrejt – me personazhin serbinar konsultohej përgjatë diskutimit dramatik rreth miratimit të Rezolutës mbi gjenocidin në Srebrenicë.

Është e qartë se për çfarë u konsultuan, sepse të gjithë njerëzit në një moment dramatik konsultohen për një moment dramatik, ndërsa ata të dy në atë moment dramatik u konsultuan për gjënë më të rëndësishme në botë në atë moment dramatik – postimin e fotove të një momenti dramatik në Instagram, Twitter, Facebook dhe TikTok.

– Shef, kjo foto kur e kafshon flamurin serb është ideale për Twitter! – pëshpëriti ajo.

– Jo, jo, vendose në Instagram, sepse atje njerëzve u pëlqen të shohin postime për ushqimin – tha personazhi serbinar Aleksandar Vuçiq, i cili gjithmonë ëndërronte të bëhej bloger ushqimi, kështu që ajo ditë dukej ideale për t’ia treguar gjithë botës recetën e ashtuquajtur Dieta e Aleksandrit e cila është shumë e thjeshtë – duhet ta kafshoni flamurin serb çdo pesë minuta dhe do t’i humbni shtatë kilogramë e gjysmë, të garantuar, gjatë një mbrëmjeje.

– Flamuri serb është i shëndetshëm si grejpfruti, nuk krijon depozita yndyrore, është ushqim i preferuar i të gjithë atyre që duan të humbasin shpejt kilogramët e tepërt – ka shkruar nën foton në Instagram, anëtarja e delegacionit tonë e ngarkuar për fotografitë, Suzana, ku shihet se serbinari Vuçiq prej flamurit serb krijonte një marifet për dhëmbët, duke e kafshuar po si farat e zeza.

Kur figura serbinare u mbështoll me flamurin serb, ata sërish u konsultuan.

– Shef, do ta postoj këtë video në Facebook – tha Suzana, por ai përsëri, siç shihet në transmetimin e drejtpërdrejt, mërmëriti diçka patetike dhe dihet se çfarë.

– Jo, jo … Atë video vendose në TikTok. Njerëzit duan të shikojnë blogerët e modës. Mbështjellja e flamurit serb si pelerinë mund të bëhet trendi i modës pranverë-verë 2024 – foli me mençuri personazhi serbinar Vuçiq, me fytyrën e murgut budist ulur në guacën e nevojtores, kur i dëgjoi rezultatet e votimit.

– Suzana, mirë që je këtu me ne dhe me telefon, se tash veç mund të fotografohemi, e ti sa më shumë bëjë foto! – i pëshpëriti sërish dhe ajo vazhdoi t’ia fotografonte shpinën.

Rezoluta për gjenocidin u votua, por Serbia fitoi bindshëm si në fund të Betejës së Kosovës, vetëm se atëherë Car Llaza nuk u mbështoll me flamur dhe nuk postoi foto në Instagram.

Presidenti Vuçiq tregoi se është car më i madh se Car Llaza dhe u soll se ishte për Llazën [president i aktorit servil Llazar Ristovski, sipas deklaratës së aktorit Llane Gutoviq: “Presidenti nuk është për mua – nuk është për Llanën, është më shumë për Llazën” – shën. i përkth.], kështu që populli serb i kapi stupcat, jo ata që të mbushin mend, por stupcat me flamujt serb, dhe nisi të festojë nëpër rrugë fitoren e madhe me të cilën vendi ynë u mund. Dhe, ndoshta kjo është një disfatë e madhe me të cilën vendi ynë fitoi. Askush nuk e di saktësisht se për çfarë është festuar, por nuk ka rëndësi se çfarë thotë populli serb, kryesorja është që të jetë i lumtur.

Është shpallur fitorja më e rëndësishme nga të gjitha fitoret, e ashtuquajtura fitorja morale; gjithë tabloidët dhe të gjitha televizionet e festuan fitoren morale, megjithëse më shumë ishte fitore gojore pasi u transmetua gojarisht nga televizioni në televizion, nga njëri te tjetri, nga tabloidi në tabloid, ku të gjithë e hapën gojën dhe folën tërësisht gojarisht se si Serbia ishte fituesja e madhe e cila humbi, dhe atë me një rezultat krejtësisht të pranueshëm 84:19 – kjo për faktin se kishte 68 abstenues për të cilët nuk dihet nëse kishin abstenuar për shkakun tonë apo se abstenuan për shkakun e vet. Megjithatë, duket qartë se kishin abstenuar për shkak të politikës së mençur të presidentit Vuçiq i cili është një car më i madh se Car Llaza, dhe atë mbrëmje ai u tregua se ishte për Llazën.

– Nuk ka rëndësi, fituam në Instagram me Dietën e Aleksandrit meqë kishte 12 486 pëlqime vetëm në orën e parë – tha fotografja e autorizuar Suzana, ndaj pas këtyre të dhënave dolën edhe më shumë njerëz me stupc, por jo asi me të mbush mend, por me stupcat me flamuj serbët dolën në rrugët e qyteteve serbe për të festuar fitoren serbe në Instagram.

Dhe, Marko Gjuriqi, ajo figurë misterioze që u ul në rreshtin e parë pranë presidentit, e përgatiste një rezolutë të re të cilën diplomacia jonë së shpejti do ta vë në votim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – e kjo është rezoluta për miratimin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të fitores së madhe të Presidentit Vuçiq në Nju-Jork, kështu që më çdo 23 maj bota do të mund të kujtojë se si dukej Car Llaza kur përfundimisht tregoi se ishte Llaza, ose të paktën se ishte për Llazën.

Na rroftë Serbia! /Telegrafi/