Diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë, Rexhepi: Shkollat shqipe, në gjendje të mjerueshme

Serbia po vazhdon diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke cenuar edhe të drejtat elementare të njeriut, thotë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Me politikat diskriminuese, ai shton se Beogradi zyrtar po tenton të shpopullojë Preshevën, Bujanocin e Medvegjën në mënyrë të heshtur.
Pasivizimi i adresave, varfëria ekstreme, mosnjohja e diplomave, mungesa e integrimit në polici dhe instituicioneve, janë disa nga temat për të cilat Rexhepi flet me shqetësim për realitetin në këto tri komuna.
Derisa flet për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Rexhepi thotë se diskriminimi po shkel konventat ndërkombëtare.
“Pozita e shqiptarëve në Luginë të Preshevës është një pozitë vërtet e rënduar dhe gjërat janë duke shkuar, duke u rënduar, dhe shqiptarët janë duke ngritur zërin në shumë vende, në shumë mënyra, sepse diskriminimi është tejet i skajshëm, ku po prek normat e të drejtave të njeriut, të cilët edhe vetë është nënshkruese në konventat ndërkombëtare dhe vetë Serbia, po ajo po i shkel me gjithë vetëdije dhe me gjithë mundësitë e veta, domethënë po mundohet të bëjë realisht një spastrim etnik....
Po realisht mund të themi, në të gjitha fushat jemi të diskriminuar. Nuk po e themi vetëm ne, po e thonë dhe raportet ndërkombëtare, ku e paraqesin, domethënë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës si një çështje të rëndësishme, sepse diskriminimi është në arsim, në kulturë, në gjuhë, në simbole, dhe në avancimin e shqiptarëve në të cilën jetojnë”, deklaron Rexhepi për KosovaPress.



































