LAJMI I FUNDIT:

Diseksioni i Aortës – çfarë është dhe si parandalohet?

Diseksioni i Aortës – çfarë është dhe si parandalohet?
Dr. Kushtrim Shala, kardiokirurg

Ky artikull i dedikohet komunitetit të pacientëve me faktor rreziku të shtuar, për të rritur ndërgjegjësimin për Diseksionin Akut Aortik të Tipit A, i cili është një urgjencë jetë-kërcënuese, e ndjeshme në kohë, me një vdekshmëri të lartë para-spitalore dhe peri-operative

Dr. Kushtrim Shala
Mjek specialist kardiokirurg
dr.kushtrimshala@gmail.com
tel: +38348587588


Çfarë është Aorta?

Aorta është arteria më e madhe që del nga zemra dhe ka formë të një tubi me diameter nga 2.5 deri 3.5 cm. Pas daljes nga zemra, aorta fillimisht shtrihet drejt rajonit të qafës dhe më pas përkulet poshtë, nga zgavra e kraharorit duke arritur në rajonin e barkut ku ndahet në dy degë në nivelin e shtyllës kurrizore lumbale.

Zemra e pompon gjakun në aortë e nga aorta përmes degëve të saj gjaku i oksigjenuar bartet në vet muskulin e zemrës, në tru, dhe në të gjitha organet dhe indet e tjera. Muri i aortës, ndërtohet nga tri shtresa: shtresa e brendshme (t.intima), e mesme (t. media) dhe e jashtme apo tunica adventicia. Secila shtresë ka përbërje (ndërtim) dhe funksion të caktuar.

E përbërë nga tre shtresa të ndërthurura, aorta është strukturalisht më e fortë, më e qëndrueshme dhe fleksibël se të gjitha enët e tjera. Dëmtimi i shkaktuar nga arsye të ndryshme në shtresën më të brendshme (grisje intimale) përmes së cilës kalon gjaku bën që gjaku të hyjë në shtresën e mesme. Ndërsa gjaku pompohet nën presion në aortë, shtresa e brendshme dhe e jashtme të enës ndahen nga njëra-tjetra dhe gjaku përhapet nëpërmes tyre në shtresën e mesme duke krijuar një lumen të rremë.

Çfarë është Diseksioni i Aortës?

Diseksioni i aortës shkaktohet nga një dëmtim i shtresës intime të aortës (çarje apo grisje intimale), duke bërë që gjaku të rrjedhë përmes defektit dhe të ndajë shtresat e aortës në drejtim gjatësor dhe rrethor. Kjo krijon një lumen të rremë paralel me lumenin e vërtetë. Lumeni i rremë mund të ngjesh lumenin e vërtetë dhe të pengojë ose bllokojë enët e degëzimit të aortës duke shkaktuar iskemi ose lëndim të organit fundor, diseksion të rrënjës së aortës, pamjaftueshmëri të valvulës së aortës, tamponada perikardiale e madje dobësimi i murit të aortës, duke rezultuar potencialisht në rupturë (këputje) të aortës.

Cili është dallimi midis aneurizmës së aortës, rupturës (këputjes) së aortës dhe diseksionit të aortës?

Aneurizma e aortës është një fryrje – si një tullumbace – në një zonë të dobësuar të murit të aortës ose në një segment të tërë të aortës. Aneurizma e aortës mund të çojë në këputje (rupturë) të aortës dhe diseksion të aortës.

Ruptura e aortës është një çarje e plotë apo këputje e të tre shtresave të aortës, ku krijohet një vrimë në murin e aortës dhe gjaku shpërthen përmes vrimës në zgavrën trupore përreth aortës.

Diseksioni i aortës është një çarje në shtresën e brendshme të aortës që lejon gjakun të hyjë dhe të ndajë më tej shtresat e brendshme dhe të mesme të murit të aortës dhe zakonisht shtrihet në një gjatësi të gjatë të aortës në të dy drejtimet dhe mund të shtrihet në enët e degëve me origjinë. nga aorta.

Cilët janë faktorët e rrezikut që çojnë në diseksionin e Aortës?

Diseksioni i aortës është një sëmundje e rrallë por shumë serioze kardiovaskulare që mund të rezultojë në humbje jete. Shkaku më i rëndësishëm i çarjes së aortës është presioni i lartë i gjakut. Hipertensioni i pakontrolluar çon në rritjen e presionit intravaskular. Kjo mund të bëjë që ngarkesa në enën e aortës të rritet me kalimin e kohës, duke shkaktuar në një moment të aortës. Një tjetër shkak i zakonshëm i çarjes së aortës është ateroskleroza. Burrat kanë dy herë më shumë gjasa të kenë një diseksion të aortës sesa gratë.

Faktorë të tjerë që e rrisin gjasat për të pasur çarje apo diseksionin të aortës përfshijnë:

▪ Ngurtësimi i arterieve, ose ateroskleroza
▪ Presioni i lartë i gjakut, ose hipertensioni, që nuk është nën kontroll
▪ Një aortë e fryrë me mur të dobësuar (aneurisma)
▪ Valvula aortale bikuspidale (valvula me dy fletë)
▪ Një aortë që është ngushtuar në lindje, një gjendje e quajtur koarktacion i aortës
▪ Pirja e duhanit

Disa sëmundje gjenetike gjithashtu duket se rrisin shanset për të pasur një diseksion të aortës, duke përfshirë:

● Sindroma Turner. Shkaktuar nga mungesa e një kromozomi X, kjo gjendje prek vetëm gratë. Ndër të tjera, mund të shkaktojë tension të lartë dhe probleme me zemrën.
● Çrregullime të indit lidhor si sindroma Marfan, sindroma Ehlers-Danlos dhe sindroma Loeys-Dietz. Ato mund të çojnë në dobësim të enëve të gjakut.
● Disa gjendje inflamatore, të tilla si arteriti me qeliza gjigante dhe sifilizi, të cilat gjithashtu mund të ndikojnë në enët tuaja të gjakut.
● Përdorimi i kokainës, të qenit shtatzënë dhe madje edhe ngritja e peshave me intensitet të lartë sidomos te peshëngritësit mund të rrisë shanset për të pasur një diseksion të aortës.

Pse është e rëndësishme t’i njohim simptomet e Diseksionit të Aortës?

Diseksioni i aortës, prek deri 30 persona në 1 milion banore, shihet më së shumti tek njerëzit mbi 40 vjeç me sëmundje hipertensive. Kjo gjendje, e cila është 2-3 herë më e zakonshme tek meshkujt sesa tek femrat në të njëjtën grupmoshë, kërkon diagnostikim dhe trajtim të shpejtë ngase përafërsisht 40% e rasteve të diseksionit të aortës rezultojnë në vdekje të papritur. Mundësia e shërimit për 60% të mbetur ndryshon në varësi të llojit të diseksionit të aortës, shtrirjes së tij dhe shpejtësisë së sjelljes në spital.

Cilat janë simptomat e Diseksionit të Aortës?

Diseksioni i aortës siç njihet në termat mjekësorë, është një emergjencë kardiovaskulare që kërkon diagnostikim dhe trajtim të shpejtë dhe ka një probabilitet të lartë për të rezultuar në vdekje. Sëmundja karakterizohet nga dhimbje të papritura dhe të forta në gjoks dhe personi e përshkruan dhimbjen si grisëse.

Disa nga simptomat e zakonshme në prani të diseksionit të aortës mund të renditen si më poshtë:

▪ Dhimbje të ngjashme me grisjen në zonën e gjoksit,
▪ Dhimbje vetëm pas gjoksit,
▪ Dhimbja rrezaton në shpinë,
▪ Frymëmarrje e shkurtër (Dispnea),
▪ Të fikët apo humbje e vetëdijes (sinkopë),
▪ Rritje ose ulje të presionit të gjakut,
▪ Pulsi i shpejtuar i zemrës (takikardi),
▪ Dallimi i presionit të gjakut në krahë dhe këmbë,
▪ Ngjizja e zërit,
▪ Djersitje,
▪ Dobësi, lodhje ose përgjumje.

Në prani të diseksionit të aortës, dhimbja fillon papritur dhe është e fortë. Ashpërsia e dhimbjes nuk zvogëlohet me kalimin e kohës, pushimit apo ndryshimit të pozicionit. Dhimbja mund të filloj ne gjoks e të kaloj ne shpinë. Gjendje të tilla si sulmi ne tru, humbja e shikimit dhe paraliza mund të zhvillohen për shkak të çarjes së enëve të gjakut që dalin nga aorta dhe furnizojnë trurin. Poashtu për shkak se aorta qarkullon gjakun në të gjithë trupin, dhimbja mund të ndihet në pika të ndryshme përgjatë trupit dhe mund të vie deri te kompromitimi i furnizimit me gjak i organeve tjera e deri te dështimi i tyre.

Si klasifikohen diseksionet apo çarjet e aortës?

Varësisht nga koha ndodhjes së diseksionit dhe prezentimit ne spital ndahen në:

▪ Diseksione akute – që paraqiten brenda 14 ditëve
▪ Diseksione subakute – që paraqiten ndërmjet dy javëve dhe 2 muajve
▪ Diseksione kronike – që paraqiten ndërmjet pas 2 muajve

Ekzistojnë dy lloje të diseksioneve të aortës varësisht se ku ndodhet çarja fillestare:
● Lloji A (Debakey I dhe II)- është më i zakonshmi nga të dy, dhe më i rrezikshmi. Çarja ndodh në aortën e sipërme ose ngjitëse, e cila quhet edhe aorta ascendente. Mund të shtrihet deri në bark apo pjesen ose në zonën më fundore ku aorta largohet nga zemra.
● Lloji B (Debakey III)- është kur çarja ndodhë në aortën e poshtme ose zbritëse por gjithashtu mund të arrijë në nivel të barkut.

Është me rëndësi të përcaktohet sa më parë lloji i diseksionit ngase diseksioni akut i tipit A apo DeBakey tip I dhe II kërkon trajtim emergjent kirurgjik jetë-shpëtues.

Çfarë duhet bërë kur keni simptoma dhe shenja dyshuese për çarje të aortës?

Nëse ju apo të dashurit tuaj keni dhimbje të forta gjoksi, u bie të fikët, frymëzënie të papritur ose simptoma të një goditjes në tru, telefononi 112 ose numrin tuaj të urgjencës lokale. Këto shenja dhe simptoma nuk janë gjithmonë tregues të një problemi serioz, por është mirë që të vizitohen shpejt nga një mjek ngase zbulimi i hershëm dhe trajtimi mund t’ju ndihmojnë të shpëtoni jetën tuaj dhe të familjarëve tuaj.

Si trajtohet Diseksioni i Aortës?

Trajtimi i diseksionit të aortës varet nga tipi apo vendndodhja e çarjes dhe diseksionit.

Kirurgjia e menjëhershme nevojitet për diseksionin akut të aortës së tipit A (d.m.th., kur përfshin pjesën e parë të aortës afër zemrës).

Opsionet kirurgjikale përfshijnë disa lloje operacionesh apo procedurash varësisht nga përhapja e diseksionit si dhe shkalla e dëmtimit të strukturave tjera (valvules aortale , butonave koronar etj.).

Trajtimi kirurgjik në thelb nënkupton zëvendësimin me graft të aortës por jo vetëm. Me këtë qasje, një pjesë e pjesës së dëmtuar të aortës hiqet dhe një tub prej pëlhure sintetike (graft) qepet direkt në vend të saj duke e zëvendësuar atë. Operacionet e tilla të hapura përfshijnë: supracoronary graft interposition, Wheat procedure, Wolfe procedure, modified Bentall Operation,bio-Bentall operation, Cabrol procedure, David Operation, Yacoub Procedure, Sun’s procedure, Hemiarch replacement, Total arch replacement dhe elephant trunk procedure dhe kombinime mes disa prej tyre.

Diseksioni i aortës së tipit B kërkon kirurgji urgjente nëse (komplikohet) diseksioni ndërpret rrjedhjen e gjakut në organet tuaja vitale duke përfshirë veshkat, zorrët, këmbët apo edhe palcën kurrizore. Kirurgjia urgjente është e nevojshme nëse ka disa veçori me rrezik të lartë që shfaqen në imazhin e skanimit angjio-CT. Rastet më pak të rënda (të pakomplikuara) mund të trajtohen fillimisht me medikamente, duke vonuar operacionin deri në zhvillimin e komplikimeve.

Trajtimi endovascular apo TEVAR- Thoracic EndoVascular Aortic Repair

Me këtë qasje trajtohet kryesisht diseksioni tip B i komplikuar . Një implant në formë stenti të mbuluar me shtresë poliesteri apo thënë ndryshe një tub nga materiali Poliester i mbështetur nga stentet me tela metalike (si një skelet) – përdoret për të riparuar aortën nga brenda. Trajtimi endovaskulare përfshin riparimin brenda aortës suaj. Bëhet një prerje e vogël në ijë dhe një kateter, me stentin e veshur me pëlhurë poliesteri, futet dhe shtyhet deri në aortë nën përcjellje të imazherisë me rreze x. Në vendin e riparimit, grafti i stentit lëshohet dhe hapet, duke shtypur lumenin e rremë dhe duke siguruar përforcim në zonën e dobët në aortë restaurim të rrjedhës së gjakut në lumenin e vërtetë.

Trajtimi hibrid

Me këtë qasje, një kombinim i kirurgjisë së hapur konvencionale dhe teknikës së stent-graftit endovaskular përdoret për të riparuar aortën. Kjo përdoret kur riparimi duhet të shtrihet në harkun e aortës ku dalin enët e degëzimit në tru dhe krahë. Kjo mund të kryhet gjatë operacionit urgjent për diseksionin e tipit A ose si një riparim me dy faza. Një nga procedurat hibride më të zakonshme quhet procedura “Frozen Elephant Trunk”. Këtu segmenti i aortës afër zemrës si dhe harku i aortës (segmenti i aortës që furnizon trurin me gjak) zëvendësohet Dacron graft I cili vazhdon në aortën zbritëse me pjesën e implantuar të stent-grafit I cili lihet i varur në aortën zbritëse, si trungu i një elefanti. Në një fazë të dytë në mënyrë endovaskulare bëhet implantimi i stentit të mbuluar në pjesën e mbetur te aortës descendente.

Trajtimi me medikamente

Medikamente, të tilla si beta-bllokuesit, mund të përshkruhen për të ulur rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut. Në disa raste të diseksionit të aortës së tipit B, vetëm medikamentet mund të përdoren për të trajtuar fillimisht diseksionin. Kirurgjia mund të vonohet me muaj në vite në varësi të ashpërsisë së çarjes dhe shtrirjes së diseksionit si dhe komplikimeve përcjellëse.

Komplikimet e diseksionit të aortës

Edhe pasi të keni riparuar një diseksion të aortës me operacion, mund të keni ende probleme të tilla si:

▪ Sulm në zemër
▪ Dështim të frymëmarrjes
▪ Dështim të veshkave
▪ Goditje në tru
▪ Paralizë
▪ Infeksionet e mushkërive
▪ Probleme nga anestezioni
▪ Dëmtimi i organeve si pasojë e iskemisë
▪ Dëmtimi i valvulës së aortës
▪ Gjakderdhje e rëndë e brendshme

Mjeku juaj do t’ju monitorojë me vëmendje pas operacionit për t’u siguruar që nuk do të shfaqen probleme të reja.

Parandalimi i diseksionit të aortës

Mënyra më e mirë për të ulur shanset për të pasur një diseksion të aortës është të planifikoni një vizitë vjetore me mjekun tuaj në mënyrë që ata të kontrollojnë zemrën tuaj.
Ju gjithashtu mund të:

▪ Flisni me mjekun tuaj. Diskutoni për ndonjë gjendje gjenetike që keni. Nëse ato rrisin shanset tuaja për diseksion të aortës, mjeku mund t’ju sugjerojë të merrni medikamente për presionin e gjakut për ta parandaluar atë.
▪ Kontrolloni presionin e gjakut. Nëse keni presion të lartë të gjakut, vazhdoni me ilaçet, dietën dhe ushtrimet tuaja për ta menaxhuar atë. Ju gjithashtu mund të blini një pajisje portative për matjen e presionit të gjakut.
▪ Shmanguni ngritjes së peshave të mëdha dhe aktivitetit të rëndë fizik.
▪ Mos pini duhan. Nëse e bëni këtë, planifikoni të hiqni dorë. Shumë njerëz përpiqen disa herë para se ta heqin zakonin për mirë. Kjo është në rregull – vazhdoni të përpiqeni! Tregojini mjekut tuaj, i cili mund të shqyrtojë metodat që do t’ju ndihmojnë të lini duhanin.
▪ Praktikoni zakone të shëndetshme për zemrën. Hani drithëra, fruta dhe perime dhe ushtroheni rregullisht. Kufizoni sasinë e kripës që merrni, kontrolloni etiketat e ushqimeve.
▪ Gjatë ngasjes vendosni rripin e sigurimit për të ulë shanset për një çarje traumatike të aortës në rast aksidenti. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori