Nga: George Orwell (Tribuna, 12 prill 1946)
Përktheu: Granit Zela
Përpara dallëndyshes, para narcisit të egër dhe jo shumë më vonë se lulebora, zhaba e zakonshme përshëndet ardhjen e pranverës sipas mënyrës së saj, duke dalë nga një vrimë në tokë, ku ka qëndruar e varrosur që prej vjeshtës së kaluar, dhe zvarritet sa më shpejt të jetë e mundur drejt vijës më të afërt të përshtatshme të ujit. Diçka – një lloj dridhjeje në tokë ose, ndoshta, thjesht një rritje prej disa gradësh e temperaturës – i ka treguar se është koha për t’u zgjuar: edhe pse disa zhaba duket se flenë gjatë gjithë kohës dhe ndodh që nganjëherë të humbasin një vit të tërë – në shumë raste, kam gërmuar në tokë dhe i kam gjetur të gjalla dhe dukeshin goxha mirë, mu në mes të verës.
Në këtë periudhë, pas agjërimit të gjatë, zhaba ka një pamje shumë shpirtërore, si një anglo-katolik i rreptë në fund të Kreshmës. Lëvizjet i ka të ngadalta, por të sakta, trupi i është tkurrur dhe për dallim me të, sytë duken në mënyrë jonormale të mëdhenj. Kjo e bën të lehtë që ta pikasin, gjë që s’do të ndodhte në një rast tjetër, një zhabë ka syrin më të bukur ndër të gjitha krijesat e gjalla. Është si ari, ose më saktë është si guri gjysmë i çmuar me ngjyrë të artë, të cilin e sheh ndonjëherë në unazat e vulës mbretërore, dhe që mendoj se quhet krizoberil.
Disa ditë pasi hyn në ujë zhaba përqendrohet në grumbullimin e forcës duke ngrënë insekte të vogla. Shumë shpejt fryhet sërish në përmasat normale dhe më pas kalon një fazë ku pushtohet nga ndjesia e firtë se është tërheqës seksualisht dhe joshës. Gjithçka që ai di, të paktën nëse është një zhabë mashkull, është se dëshiron t’i shtrëngojë krahët rreth diçkaje, dhe nëse i zgjat një shkop, apo edhe gishtin tënd, ai do të kapet pas tij me një forcë të habitshme dhe do të marrë shumë kohë për të zbuluar se nuk është zhabë femër.
Ndodh rëndom të hasësh në masa pa formë prej dhjetë ose njëzet zhabash që rrotullohen vazhdimisht në ujë, njëra që ngjitet pas tjetrës pa dallim seksi. Megjithatë, gradualisht ata ndahen në çifte, me mashkullin të ulur siç duhet në kurrizin e femrës. Tani mund të dallohen meshkujt nga femrat, sepse mashkulli është më i vogël, më i errët dhe hipën sipër, me krahët të shtrënguar fort rreth qafës së femrës. Pas një ose dy ditësh, vezët vendosen në rreshta vargje të gjata, të cilat mbështillen brenda dhe jashtë kallamishteve dhe shpejt bëhen të padukshëm. Edhe disa javë, dhe uji është i gjallë me masat e fulterëzave të vogla që rriten me shpejtësi, u mbijnë këmbët e pasme, pastaj këmbët e përparme, pastaj u del bishti dhe, më në fund, rreth mesit të verës, brezi i ri i zhabave, më të vegjël sesa gishti i madh, por i përsosur në çdo gjë të veçantë, kërcen nga uji për ta filluar lojën nga e para.
E përmend shumimin e zhabave, sepse është një nga fenomenet e pranverës që më tërheq më shumë, dhe sepse zhaba, ndryshe nga lauresha dhe aguliçja, nuk ka pasur kurrë vëmendje të madhe nga poetët. Sidoqoftë, jam më se i vetëdijshëm që shumë njerëz nuk i pëlqejnë zvarranikët apo amfibët dhe nuk po sugjeroj që për ta shijuar pranverën duhet të interesoheni për zhabat. Janë edhe krokusi,[1] mëllenja, groshëla e livadheve, kullumbria etj. Çështja është se kënaqësitë e pranverës janë për të gjithë dhe nuk kushtojnë asgjë. Edhe në rrugët më të ndyra ardhja e pranverës do të shfaqë një shenjë ose një tjetër, edhe sikur me vetëm një blu më të ndezur midis tymtarëve ose e gjelbra e gjallë e një shtogu që mbin në një vend më të thatë. Në të vërtetë, është e jashtëzakonshme se si Natyra vazhdon të ekzistojë jozyrtarisht, si dikur, mu në zemër të Londrës. Kam parë një fajkua duke fluturuar mbi një fabrikë në Deptford dhe kam dëgjuar një performancë të klasës së parë nga një mëllenjë në Justën Roud. Duhet të ketë disa qindra mijëra, nëse jo me miliona zogj që jetojnë brenda një rrezeje prej katër miljesh dhe është gjë e bukur të mendosh që asnjëri prej tyre nuk paguan asnjë gjysmë qindarke për qiranë.
Për sa i përket pranverës, as rrugët e ngushta dhe të zymta rreth Bankës së Anglisë s’mund të mos e ndiejnë. Ajo depërton kudo, si një nga ato gazrat e rinj helmues që kalojnë nëpër të gjithë filtrat. Pranvera zakonisht quhet “një mrekulli” dhe gjatë pesë apo gjashtë vjetëve të fundit kjo metaforë e rraskapitur është ripërtërirë. Pas llojit të dimrave që na është dashur të durojmë kohët e fundit, pranvera duket vërtet e mrekullueshme, sepse është bërë gjithnjë e më e vështirë të besosh se ajo do të ndodhë në të vërtetë. Çdo shkurt, që nga viti 1940, kam menduar se këtë herë dimri do të jetë i përhershëm. Por Persefona, si zhabat, gjithmonë ringjallet nga të vdekurit në të njëjtën kohë. Papritur, nga fundi i marsit, ndodh mrekullia dhe lagjja e varfër në të cilën jetoj unë shndërrohet plotësisht. Poshtë në shesh voshtrat e zeza kanë ngjyrë shumë të gjelbër, gjethet po trashen mbi gështenja, narcisët e egër janë rritur, lulet e murit po lulëzojnë, kapela e policit duket një nuancë e këndshme blu, peshkatari përshëndet klientët me një buzëqeshje, madje edhe harabelat kanë një ngjyrë krejt tjetër, pasi kanë ndier efektin shërues të ajrit, janë bindur të bëjnë një dush, i pari që nga shtatori i kaluar.
A është gjë e keqe të gjesh kënaqësi te pranvera dhe ndryshimet e tjera stinore? Për ta thënë më saktë, a është politikisht e dënueshme, ndërkohë që ne të gjithë rënkojmë, apo gjithsesi duhet të rënkojmë, nën prangat e sistemit kapitalist, të theksojmë se jeta shpesh ia vlen të jetohet për shkak të këngës së mëllenjës, të një vidhi të verdhë në tetor, apo ndonjë dukurie tjetër natyrore që s’kushton para dhe nuk kanë atë që redaktorët e gazetave të majta e quajnë pikëpamje klasore? Nuk ka dyshim se shumë njerëz mendojnë kështu. E di nga përvoja se një referencë e favorshme për “Natyrën” në një nga artikujt e mi mund të më sjellë letra fyese dhe megjithëse fjala mbizotëruese në këto letra është zakonisht “sentimentale”, dy ide duket se janë të përziera në to. Njëra është se çdo kënaqësi që na japin proceset jetësore nisin një lloj paqëtimi politik. Njerëzit, kështu mendohet, duhet të jenë të pakënaqur, dhe detyra jonë është t’i shumëfishojmë dëshirat tona dhe jo thjesht ta rrisim kënaqësinë tonë për gjërat që tashmë kemi. Ideja tjetër është se kjo është epoka e makinave dhe se të mos e pëlqesh makinën, apo edhe të duash të kufizosh mbizotërimin e saj, tregon prapambetje, është reaksionare dhe paksa qesharake. Kjo shpesh mbështetet nga pohimi se dashuria për Natyrën është dobësi e njerëzve të urbanizuar që nuk e kanë idenë se si është në të vërtetë Natyra. Ata që me të vërtetë duhet të merren me tokën, siç argumentohet, s’e duan tokën dhe nuk tregojnë as interesin më të vogël për zogjtë apo lulet, përveçse në një këndvështrim rreptësishtë dobiprurës. Për ta dashur fshatin duhet të kesh jetuar në qytet, thjesht të bësh një shëtitje të rastësishme në fundjavë gjatë periudhave më të ngrohta të vitit. Kjo ideja e fundit është dukshëm e rreme.
Letërsia mesjetare, për shembull, duke përfshirë baladat popullore, është plot me një entuziazëm pothuajse gjeorgjian për Natyrën dhe artin e popujve bujqësorë, si qendrat kineze dhe japoneze, gjithmonë rreth pemëve, zogjve, luleve, lumenjve, maleve. Ideja tjetër më duket se është e gabuar në një mënyrë më të ndërlikuar. Sigurisht që duhet të jemi të pakënaqur, s’duhet thjesht të gjejmë mënyra për të përfituar sa më mirë nga një punë e keqe dhe, megjithatë, nëse vrasim çdo kënaqësi që marrin prej proceseve jetësore, çfarë lloj të ardhmeje po përgatitim për veten tonë? Nëse një njeri s’e shijon dot kthimin e pranverës, pse duhet të jetë i lumtur në një Utopi që kursen fuqinë punëtore? Çfarë do të bëjë ai me kohën e lirë që do t’i sigurojë makina? Gjithmonë kam dyshuar se nëse problemet tona ekonomike dhe politike zgjidhen ndonjëherë, jeta do të bëhet më e thjeshtë në vend se të jetë më e ndërlikuar dhe se lloji i kënaqësisë që merr njeriu nga gjetja e aguliçes së parë do të duket më i madh se lloji i kënaqësisë që merr duke ngrënë një akullore në melodinë e një pianoje. Mendoj se duke ruajtur dashurinë e kohës së fëmijërisë për gjëra të tilla si pemët, peshqit, fluturat dhe – për t’u kthyer në rastin tim të parë – zhabat, njeriu e bën një të ardhme paqësore dhe të mirë pak më të mundshme dhe se duke predikuar doktrinën se asgjë s’duhet të admirohet përveç çelikut dhe betonit, njeriu thjesht e bën më të sigurt që qeniet njerëzore s’do të kenë asnjë shtegdalje për energjinë e tyre të tepërt përveç urrejtjes dhe adhurimit të liderit. Sido që të jetë, pranvera është këtu, edhe në Londër, dhe ata s’na ndalojnë dot ta shijojmë. Ky është një reflektim që më jep kënaqësi. Sa herë kam qëndruar duke parë zhabat që çiftëzohen, ose dy lepuj që bëjnë boks në arën me misër të ri, dhe kam menduar për të gjithë personat e rëndësishëm që do të më ndalonin ta shijoja këtë nëse do të mundeshin. Por, për fat, ata s’munden. Për sa kohë që nuk jeni të sëmurë, të uritur, të frikësuar ose të mërzitur në një burg ose në një kamp pushimi, pranvera është ende pranverë. Bombat atomike po grumbullohen nëpër fabrika, policia po vërshon nëpër qytete, gënjeshtrat po vërshojnë nga altoparlantët, por toka ende po rrotullohet rreth diellit dhe as diktatorët dhe as burokratët, pavarësisht se thellë brenda tyre nuk e miratojnë zhvillimin e këtyre proceseve, ata nuk janë në gjendje t’i pengojnë. /Sh. B. “Armagedoni”/Telegrafi/
______
[1] Bimë e vogël, me lule pranverore, e familjes së shpatorevet, e cila rritet nga kërpudha dhe ka lule të verdha, vjollcë ose të bardha. (Shënim i përkthyesit).
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A