Didier Deschamps bëhet kandidat serioz për të marrë drejtimin e Real Madridit

Kupa e Botës e kësaj vere i organizuar nga FIFA pritet të jetë fundi i një epoke për Didier Deschamps, duke shënuar përmbylljen e një periudhe të jashtëzakonshme 14-vjeçare në krye të kombëtares së Francës.
Sipas një raportimi nga RMC Sport, destinacioni i tij i radhës mund të jetë Real Madridi.
Deschamps udhëhoqi “Gjelat” drejt triumfit në Kupën e Botës 2018 dhe më pas i çoi deri në finalen e Kupës së Botës 2022. Megjithatë, në janar të vitit 2025, ai njoftoi se Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, do të jetë turneu i tij i fundit në krye të kombëtares.
Trajneri francez nuk ka në plan të tërhiqet nga futbolli dhe është i hapur për një rikthim në nivel klubesh.
🚨 INFO RMC SPORT - Didier Deschamps dans la short list du Real Madrid pour la saison prochaine.https://t.co/mL9uAeo9YJ@FabriceHawkins pic.twitter.com/A3yN9kMOsy
— RMC Sport (@RMCsport) April 10, 2026
Një mundësi e tillë mund të hapet te Real Madrid gjatë verës. Xabi Alonso u largua nga gjigantët spanjollë në janar dhe u zëvendësua nga ish-lojtari Alvaro Arbeloa, por rezultatet nuk kanë qenë bindëse.“Los Blancos” janë pranë eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe gjithashtu në disavantazh në garën për titullin në La Liga.
Sipas RMC Sport, Deschamps ndodhet në listën e ngushtë të kandidatëve për të zëvendësuar Arbeloan në fund të sezonit.
Ai vlerësohet nga drejtuesit madrilenë për aftësitë e tij në menaxhimin e grupit, përvojën në fitimin e trofeve madhorë, si dhe për marrëdhëniet tashmë të krijuara me lojtarët francezë Kylian Mbappe, Aurelien Tchouameni dhe Eduardo Camavinga, të cilët aktivizohen në “Santiago Bernabeu”.
Deschamps nuk është në radar vetëm të Real Madridit, pasi për të ka interes edhe nga klube të tjera në Evropë, si dhe nga shtetet e Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite./Telegrafi/





















































