Diar Halili, “xhokeri” i Prishtinës: Në mbrojtje apo mesfushë, ai është gjithmonë i gatshëm

Në një sezon ku FC Prishtina po synon lavdi në Kupën e Kosovës dhe përfaqësim në arenën evropiane, një nga emrat që ka spikatur sidomos në ndeshjet e kësaj gare, është mbrojtësi 21-vjeçar, Diar Halili.
I rikthyer këtë edicion në klubin kryeqytetas, Halili ka treguar formë të lartë sa herë që i është besuar minuta në fushë.
Në ndeshjen e fundit gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Dritës, Halili ishte titullar dhe pjesë e një treshe solide mbrojtëse bashkë me Leonat Vitinë dhe Ron Raçin.
Prishtina dominoi ndeshjen duke fituar me rezultat bindës 3-0, pa i dhënë asnjë mundësi rivalit për të rrezikuar seriozisht.

“Ishte një ndeshje shumë e fortë, por treguam karakter dhe meritueshëm kaluam në finale. Jam krenar për ekipin,” deklaroi Halili për Telegrafin pas fitores së madhe.
I njohur për qëndrueshmërinë në duelet ajrore dhe pasimet e sakta, Halili ka treguar se nuk është vetëm një mur në mbrojtje, por edhe një armë ofensive.
Këtë e dëshmoi më së miri me një super gol të realizuar këtë sezon ndaj po të njëjtit kundërshtar, Dritës, gjatë kampionatit.

Përveç përvojës në futbollin kosovar me klube si 2 Korriku, Besa e Pejës dhe Vjosa, Halili mburret edhe me një etapë të rëndësishme zhvillimore në grupmoshat e klubit të njohur portugez, FC Porto.
Aftësia për të luajtur edhe në rolin e mesfushorit i shton vlerë edhe më të madhe ekipit të Prishtinës.
Në një intervistë të shkurtër, ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimësisë: “Sezonin pranveror kam pasur më shumë stabilitet dhe jap maksimumin që të kem vazhdimësi në çdo lojë dhe performancë të mirë.”

Prishtina është ende në garë për të siguruar një vend në Evropë përmes kampionatit, ndërsa finalja e Kupës ndaj Llapit është sfida e radhës që mund të kurorëzojë sezonin me një trofe.
“Kampionati është ende i hapur, por besoj se Prishtina do të jetë në vendet 3 apo 4 dhe do luftojë deri në fund për Evropë. Finalja ndaj Llapit do jetë e vështirë, por jemi të motivuar dhe do japim gjithçka për të fituar trofeun,” përfundoi Halili. /Telegrafi/








































