Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Liberalizimi i dhunshëm rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë dhe të godasë rëndë ekonominë e vendit

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë rishpreh indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila ka urdhëruar KEDS-in të nisë shkyçjen e qindra bizneseve që nuk janë pajtuar me kushtet e papranueshme dhe të dëmshme të ofruara nga kompanitë e licencuara, ndërkohë që pjesa tjetër kane bërë marrëveshje të përkohshme, janë në pritje të vendimeve të gjykatave dhe themelimit të institucioneve të reja të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë.
Në reagim thuhet se "ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend".
"Në çdo vend tjetër, një kërcënim i tillë për humbjen e vendeve të punës do të ngjallte alarm të menjëhershëm. Në Kosovë, për fat të keq, institucionet po zgjedhin të heshtin, duke e bërë veten bashkëpërgjegjëse për pasojat e rënda që prite", thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se pasojat e këtij hapi do të jenë dramatike: mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim të mëtejmë të qytetarëve.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë rikërkon për të disatën herë urgjentisht nga institucionet e vendit që të ndërhyjnë dhe të ndalin këtë proces të dhunshëm dhe të padrejtë, i cili rrezikon të shkatërrojë themelet e ekonomisë sonë.
Ndryshe, sot KEDS ka njoftuar se kanë nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me furnizues energjie të licencuar.
Në njoftimin e tyre thuhet se KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja.
“Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve, të cilat nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike. Po ashtu, ju njoftojmë se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani, për çka KEDS-i ka mobilizuar ekipe në terren gjithandej në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se KEDS vazhdon të inkurajojë këta konsumatorë që sa më parë të lidhin marrëveshje me një Furnizues të licencuar nga ZRRE, lista e të cilëve gjendet në ueb faqen e ZRRE-së, për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike./Telegrafi/




















































