LAJMI I FUNDIT:

Deri kur më?

Në Kosovë shumicën e popullsisë e përbëjnë të rinjtë, dhe truri i këtyre të rinjve janë studentët, këta student janë e ardhmja e këtij vendi, e kësaj toke, e këtij shteti i cili dëshiron të intergorhet drejt një Evrope të bashkuar me kriteret e saj të larta në të gjitha fushat. Por, këta student me të cilën familjarët e tyre mburren, nuk po e shpalosin dijen e tyre siç duhet, ata po manipulojnë, po përdorin metoda nga më të ndryshme vetëm e vetëm për të kaluar në provimet e tyre apo në falsifikimin e shumë punimeve të diplomave që do të jenë dëshmi nesër kur ata të konkurrojnë për një vend pune.

Ka tre vite rresht që gjysma e maturantëve nuk po e kalojnë testin e maturës, dhe si pasojë kjo tregon nivelin e ulët të arsimit të këtyre viteve të fundit, është për të ardhur keq por kjo është e vërteta. Nga ana tjetër shumica e studentëve që pranohen në fakultete, si qëllim të tyre kanë që vetëm të kalojnë dhe të marrin një diplomë, dhe kjo shumicë mendojnë se mënyra më e mirë dhe e lehtë për kalimin e shohin kopjimin, një zgjedhje kjo që e bënë studentin jo vetëm një mashtrues për diplomën që e merr por edhe si një dembel, që nuk ka dhënë maksimumin e diturisë së tij, një mospërpjekje e trishtueshme, që pasojat më të mëdha do t’i kenë brezat e ardhshëm


Revolucionet bashkëkohore në shumicën e rasteve, janë bërë nga studentët, pra motori i revolucioneve paskan qenë studentët, dhe kjo tregon se vetëdija e tyre përballë shteteve totalitare të së shkuarës ka qenë shumë e madhe. A e kanë arritur ata këtë gjë më mashtrime dhe me kopjime? Jo, në asnjë mënyrë, por kjo ka ndodhur, duke i kushtuar interes të veçantë mësimit, duke kaluar kështu orë të tëra përballë tavolinës së tyre të mesmit qoftë kjo në bibliotekë apo gjetiu. Pra forca e dijes së tyre nuk i ka lënë ata që të heshtin përpara shumë gjerave të cilat i kanë parë sytë e prehtë të këtyre studentëve që e kanë ushqyer shikimin e tyre me librat e shumtë që sollën një vetëdije konsoliduese e cila i bëri ata të fortë kundra përballjes të sistemeve më të ashpra totalitare.

Si pasojë, studentët varen shumë nga ajo që fitojnë, nga ajo që lexojnë, dhe pas kësaj nga ajo që mendja e tyre do të përpunojë, e si të logjikojnë, si ta kalkulon kjo mendje problemet e shumta të jetës kur nuk e ka fazën primordiale të ushqimit të dijes, si të eci përpara ky tru kur vetëm di të mashtroj dhe te humbin kohën kot. Kjo lloj dekadence duhet të marri fund, dhe studentët t’i vënë gishtin kokës se kështu në këtë gjendje nuk shkohet asgjëkund. Duhet të meditojnë thellë që aspiratat e tyre për të ardhmen të kenë një kuptim, që ato të mos veniten, duke u bërë kështu një punëtorë i thjesht në dyert e botës moderne.

Diploma që do ta merr nuk do të vlej, vetëm se do të qëndroj në vitrinë, duke pritur çastin kur ajo të venitet dhe të mos i hyn në punë askujt. Si shembulli i erozionit që ndodhë rëndom në natyrë, kur njerëzit më përpara kanë ndërtuar pallate me material prej balte dhe erozioni i kohës i shkatërroi. Ato ishin të dobishëm për atë kohë por jo edhe për brezat e mëvonshëm, po edhe ky shembull nuk i përputhet plotësisht rastit në fjalë, sepse ata breza ishin të dobishëm për njerëzit e asaj kohe, e për rastin tonë nuk mundemi të gjejmë dot një shembull adekuat, sepse në këtë mënyrë se si i marrin këta student këto diploma, pra me këto diploma këta nuk janë të dobishëm as për të tjerë, por as për veten e tyre.

Duke ditur që sot të hysh në një punë është bërë shumë e vështirë. Tregu i konkurrencës është rritur ndjeshëm dhe privati nuk mund të pranojë nëse ti në fillim nuk e dëshmon me dije atë që ke fituar, pra nuk na qenkan vetëm provimet si dëshmi për diplomën tënde, por ajo që është më e rëndësishmja dhe që ia vlen të theksohet këtu është dëshmia që do ti japim vetes tonë nesër kur të dalim për të konkurruar në një punë

Prandaj të ndërgjegjësohemi, dhe të kuptojmë se mënyra më e mirë e fitimit të punës, por ajo që është më e rëndësishme për njeriun, është fitimi i dinjitetit të tij si një njeri, si një qenie inteligjente që e dallon atë nga kafsha,

Sepse këta studentë që po diplomohen sa për sy e faqe, këta do t’i mësojnë fëmijët tanë nesër, pra ose do të na e ndrisin faqen ose të kundërtën. Prandaj le të bëjmë përpjekje që të rrisim vetëdijen e mësimit duke sjell kështu frymën e përgjegjësisë që do të kemi nesër në edukimin dhe në përparimin e vendit, në përballjen e sfidave të së ardhmes. Vetëm kështu në këtë formë mund të jemi ata të cilët do të kemi fytyrë t’u krenohemi fëmijëve tanë nesër.