LAJMI I FUNDIT:

Deputeti i VV-së: Taksa do të hiqet, s’ka dilemë

Deputeti i VV-së: Taksa do të hiqet, s’ka dilemë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka njoftuar se taksa ndaj mallrave serbe do të hiqet, bile, sipas tij, për këtë s’ka dilemë.

Abrashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se problemi i çoroditjes së tyre publike (duke iu referuar partive politike) është prishja e strofullave të krimit nga pushteti i ri.


Postimi i plotë i Abrashit:

“Taksa do të hiqet. Këtu s’ka dilemë.

Problemi i vërtetë i çoroditjes së tyre publike është prishja e strofullave të krimit nga pushteti i ri. Pra jo nga dashuria ndaj SHBA-ve por frika nga humbja e salltaneteve. Dhe mafia këtë punë ka, mbrojtjen e territorit dhe interesave me çdo arsyetim.  Pa PANik”, ka shkruar Abrashi.

Ndryshe, sot Senatori amerikan, David Perdue ka paralajmëruar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rishqyrtojnë praninë e tyre në Kosovë, në rast se kjo e fundit nuk e heq tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Paralajmërimet e senatorit Perdue janë mbështetur edhe nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell.

E këto paralajmërime nga Uashingtoni, kanë nxitur reagime të presidentit të Kosovës dhe të disa nga liderët e partive opozitare, por edhe të LDK-së, partnerit të koalicionit qeverisës të LVV-së.

Madje zyrtarë të lartë të LDK-së i kanë dërguar porosi Lëvizjes Vetëvendosje, se do t’i ndajnë rrugët e bashkëpunimit, nëse nuk veprohet sipas kërkesës së SHBA-së për heqje të taksës ndaj mallrave serbe. /Telegrafi/