Deputeti serb, Petar Boskoviq ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvendin e Serbisë, duke akuzuar drejtpërdrejt pushtetin për bllokimin e integrimit evropian dhe për mungesë të vullnetit politik e sundimit të ligjit.

Sipas Boskoviqit, autoritetet serbe po justifikohen me “kushte teknike të përmbushura” për hapjen e kapitullit të tretë të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa arsyet reale për bllokadën janë krejtësisht politike.


“As vetë nuk besoni në këto budallallaqe. E dini shumë mirë pse kapitulli nuk është hapur, por nuk doni vërtet të shkoni drejt Evropës”, tha ai.

Duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian, Boskoviq theksoi se dokumenti është “i ashpër dhe deri tani më i saktë”, duke nënvizuar se problemet kryesore të Serbisë mbeten vullneti politik dhe sundimi i ligjit.

Në fjalimin e tij, deputeti opozitar përmendi edhe rastin e Banjskës, duke deklaruar se dy vjet pas ngjarjeve, Millan Radoiçiq vazhdon të lëvizë lirshëm në Serbi.

“Radoiçiq shëtitet si të dojë, me vetura të blinduara më të mira se princi saudit dhe me sigurim më të fuqishëm se vetë presidenti Vuçiq,” u shpreh Boskoviq.

Ai theksoi se çështja e Banjskës është një nga temat kryesore që ngrihet nga zyrtarët evropianë në çdo vizitë në Serbi, si dhe ndaj politikanëve serbë gjatë udhëtimeve të tyre në Evropë.

“Pra, si do ta zgjidhni këtë kur nuk ju lejohet as t’i afroheni Radoiçiqit tuaj? Të gjithë jeni të përfshirë - nga drejtori asokohe i BIA-s, përmes Mojsiloviqit dhe anëtarëve të pensionuar të ushtrisë, deri te presidenti i shtetit që iu ka lutur KFOR-it të hapë rrugën për ta, për t’i nxjerrë njerëzit që shqiptarët mos t’i vrasin”, deklaroi ai.

Boskoviq ngriti shqetësime edhe për veprimtari të dyshimta jashtë vendit, duke përmendur përgatitjen e grupeve në Loznicë, përfshirjen në Moldavi dhe shitjen e municioneve në kohën e luftës në Ukrainë. Ai akuzoi qeverinë se politika e jashtme nuk po i shërben interesave të Serbisë, por po e izolon vendin edhe më tej nga Bashkimi Evropian.

Fjalimi i Boskoviqit ka nxitur reagime të shumta në skenën politike serbe, duke rihapur debatin për përgjegjësinë e institucioneve dhe perspektivën evropiane të Serbisë. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be