LAJMI I FUNDIT:

Depresioni post-Davos

Depresioni post-Davos

Drejtuesit ekzekutivë të Davosit ishin euforikë këtë vit mbi rikthimin te rritja ekonomike, fitimet e bollshme dhe përshkallëzimin e kompensimit të drejtorëve ekzekutivë. Ekonomistët i rikujtuan atyre se kjo rritje nuk është e qëndrueshme, dhe nuk ka qenë kurrë gjithëpërfshirëse; por në një botë ku babëzia është gjithmonë e mirë, argumente të tilla patën shumë pak ndikim.

Kam marrë pjesë në konferencën e përvitshme të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër – ku e ashtuquajtura elita botërore bashkohet për të diskutuar problemet e botës – që nga viti 1995. Kurrë më parë nuk kam dalë më pak i frymëzuar se sa këtë vit.


Bota është e goditur nga problemet më të vështira. Pabarazia po rritet, veçanërisht në ekonomitë e zhvilluara. Revolucioni industrial, pavarësisht potencialit që ka, mbart gjithashtu rreziqe serioze për privatësinë, sigurinë vendet e punës dhe demokracinë – sfida që janë të shkaktuara nga rritja e fuqizë monopoliste të pak gjigandëve të të dhënave nga Amerika dhe Kina, përfshirë Facebook dhe Google. Ndryshimi klimaterik përbën një kërcënim ekzistencal ndaj të gjithë ekonomisë botërore siç e njohim ne atë.

Ndoshta më shkurajuese se këto probleme, gjithsesi, janë reagimet ndaj tyre. Që të jemi të qartë, këto në Davos, drejtuesit e biznesit nga e gjithë bota fillojnë pothuajse të gjitha fjalimet e tyre me konfirmimin e rëndësisë që kanë vlerat. Aktivitetet e tyre, pretendojnë ata, synojnë jo vetëm maksimizimin e fitimeve për aksionerët, pot gjithashtu edhe krijimin e një të ardhmeje më të mirë për punëtorët e tyre, për bashkësitë në të cilat ata punojnë dhe për botënnë përgjithësi. Ata mundet sa për sy e faqe të flasin për rreziqet që vijnë nga ndryshimi klimaterik dhe pabarazia.

Por, nga fundi i fjalimeve të tyre këtë vit, çdo iluzion që kishte mbetur mbi vlerat që motivojnë ata u shpartallua. Rreziqet për të cilat këta drejtorë dukeshin më së shumti të shqetësuar vijnë nga reagimi populist ndaj atij lloj globalizimi që ata kanë ndihmuar për ta formuar – dhe nga i cili ata kanë përfituar jashtëzakonisht shumë.

Nuk është surprizë, këto elita ekonomike nuk e kuptojnë mirë përmasat në të cilat sistemi ka dështuar për pjesë të mëdha të popullsisë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, duke lënë të ardhurat e shumicës së familjeve në stanjacion dhe duke sjellë që pjesa e të ardhurave nga puna të bjerë në mënyrë thelbësore. Në SHBA, pritshmëria e jetëgjatësisë në lindje ka rënë për vitin e dytë rradhazi; mes atyre me vetëm arsim të mesëm, rënia ka vijuar për një periudhë edhe më të gjatë.

Asnjëri nga drejtorët ekzekutivë amerikanë, fjalimet e të cilëve unë dëgjova, nuk e përmendi fanatizmin, mizogjininë apo racizmin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili ishte i pranishëm në takim. Asnjëri nuk përmendi rrëkenë e pambarim të deklaratave injorante, gënjeshtrave të hapura dhe veprimet e nxituara që kanë gërryer besueshmërinë e presidentit të SHBA – dhe rrjedhimisht të SHBA – në botë. Askush nuk e ka përmendur braktisjen e sistemeve të qartësimit të të vërtetës, ose të vetë të vërtetës.

Për më tepër, asnjë nga titanët e korporatave amerikane nuk e përmendi reduktimin e financimit nga administrata e tij për shkencën, një gjë kaq e rendësishme për fuqizimin e avantazhit krahasues të ekonomisë amerikane për mbështetjen e rritjes së standardit të jetesës.

Askush nuk e përmendi injorimin nga administrata Trump të institucioneve ndërkombëtare, apo sulmeve ndaj medias vendëse dhe sistemit të drejtësisë – të cilat përbëjnë një sulm mbi sistemin e kontollit dhe balancave që është në themel të demokracisë në SHBA.

Jo, drejtorët ekzekutivë në Davos po lëpinin legjislacionin fiskal që miratoi së fundmi Trump dhe Republikanët e Kongresit, i cili do të çojë qindramiliardë dollarë për korporatat e mëdha dhe njerëzit e pasur që kanë nën pronësi apo i drejtojnë ata – njerëz si vetë Trump. Ata janë të pashqetësuar për faktin se i njëjti legjislacion do të sjellë një rritje të taksave për shumicën e shtresës së mesme kur të zbatohet në tërësi – një grup pasuritë e të cilëve kanë qenë në rënie përgajtë 30 viteve të fundit.

Edhe në botën e tyre të ngushtë materialiste, ku rritja ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër, legjislacioni fiskal i Trump nuk mund të festohet. Në fund të fundit, ai i ul taksat mbi spekulimin me prona të patundëshme – një aktivitet që ka prodhuar mirëqenie të qëndrueshme asgjëkundi, por ka kontribuuar në rritjen e pabarazisë gjithkund.

Legjislacioni imponon gjithashtu një taksë mbi universitetet si Harvardi dhe Princeton – burime të ideve dhe novacioneve të shumta – dhe do të sjellë shpenzime më të ulëta në nivel vendor në arsimim dhe infrastrukturë. Administrata e Trump dukshëm është e gatshme të injorojë faktin e dukshëm se, në shekullin e njëzet e një, suksesi kërkon më shumë investime në arsim.

Për drejtuesit ekzekutivë në Davos, duket se ulja e taksave për të pasurit dhe korporatat e tyre, krahas derregullimit, është përgjigje për çdo problem të vendit. Ekonomiksi i pikave që rrjedhin për poshtë, pretendojnë ata, do të sigurojë që, në instancë finale, e gjithë popullsia të përfitojë ekonomikisht. Dhe zemrat e mira të drejtorëve ekzekutivë duket se janë të mjaftueshme për t’u siguruar se mjedisi do të mbrohet, edhe pa rregulla.

Megjithatë leksionet e historisë janë të qarta. Ekonomiksi i pikave që rrjedhin për poshtë nuk funksionon. Dhe një arsye kyçe se pse mjedisi është në kushte të tilla të mjera është se korporatat nuk kanë respektuar përgjegjësitë e tyre shoqërore. Pa rregullime efikase dhe një çmim real të paguar për ndotjen, nuk ka arsye për të besuar se ato do të sillen ndryshe nga sa janë sjellë.

Drejtorët ekzekutivë të Davosit ishin euforikë mbi rikthimin te rritja ekonomike, mbi rritjen e fitimeve dhe kompensimeve për ta. Ekonomistët i rikujtuan atyre se kjo rritje nuk është e qëndrueshme dhe nuk ka qenë kurrë gjithëpërfshirëse. Por argumente të tilla kanë pak ndikim në një botë ku materializmi është mbret.

Pra harro banalizmat mbi vlerat e recituara nga drejtorët ekzekutivë në paragrafët hapës të fjalimeve të tyre. Ata nuk e kanë sinqeritetin e personazhit luajtur nga Michael Douglas në vitin e vitit 1987 Ëall Street, por mesazhi nuk ka ndryshuar: “Babëzia është gjë e mirë.” Ajo që më fut në depresion mua është se, megjithëse ky mesazh është qartazi fals, shumë nga ata në pushtet besojnë se ai është i vërtetë. /Project Syndicate/Reporter.al