Dendësi në hapësirë

Amazon ka nisur misionin e tij më të ri për t’i bërë konkurrencë Starlink-ut të SpaceX, duke lëshuar satelitët e parë të Project Kuiper.
Me 27 satelitë që tashmë ndodhen në orbitën e Tokës, Amazon i bashkohet një numri gjithnjë në rritje kompanish që synojnë të dërgojnë më shumë se 1000 satelitë secila për të krijuar mega-konstelacionet e tyre të komunikimit.
Me shtimin e objekteve në orbitë, rritet edhe rreziku i mbipopullimit, ndërsa një përplasje mes tyre mund të ketë pasoja katastrofike.
Përveç Amazonit dhe SpaceX-it, kompania britanike OneWeb, e cila vitin e kaluar u bashkua me operatorin francez satelitor Eutelsat, si dhe disa konstelacione të planifikuara nga kompani kineze, janë pjesë e këtij garimi orbital.
Qeveria kineze mbështet mega-konstelacionin Guowang, i cili ka nisur lëshimet që nga viti i kaluar, megjithëse detajet për të mbeten të fshehta. Ndërkohë, projekti komercial kinez Qianfan (ose “Njëmijë Velat”) planifikon të vendosë deri në 15 mijë satelitë në orbitë.
Sipas një raporti të fundit të Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA), në vitin 2024 janë lëshuar mbi 2500 objekte në orbitën e ulët të Tokës – më shumë se pesë herë më shumë se në çdo vit para vitit 2020.
Shumica e këtyre lëshimeve lidhen me konstelacione satelitore komerciale, të cilat po shtohen çdo vit. Aktualisht, numri i satelitëve aktivë është afërsisht i barabartë me numrin e mbeturinave orbitale.
Nëse ky trend vazhdon, ESA parashikon se deri në vitin 2050 mund të ketë pothuajse 50 mijë objekte më të mëdha se 10 centimetra në orbitën e ulët të Tokës – çka do të përbëjë një sfidë të madhe për sigurinë hapësinore. /Telegrafi/

















































