Viti 2026, sipas analistit të politikave Agron Demi, duhet të shënojë një orientim më të qartë të Qeverisë së re drejt reformave strukturore, me fokus të veçantë në digjitalizim, arsim dhe inovacion.

Demi në “Përballje Podcast” theksoi se këto fusha janë vendimtare për zhvillimin afatgjatë të Kosovës dhe për përgatitjen e vendit për ndryshimet e shpejta globale.


Sipas Demit, dekada që vjen do të karakterizohet nga tranzicioni i thellë digjital dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale, ndaj Kosova duhet të përshtatet me këtë realitet.

“Dhjetëvjeçari i ardhshëm do të jetë dekadë e tranzicionit digjital dhe e inteligjencës artificiale. Ne nuk e kemi luksin të vazhdojmë me politikat e dhjetë viteve të kaluara në dhjetë vitet e ardhshme”, u shpreh ai, shkruan Telegrafi.



Ai theksoi se digjitalizimi nuk duhet parë vetëm si proces teknologjik, por si reformë që prek funksionimin e shtetit në tërësi.

“Digjitalizimi duhet të ndihmojë mënyrën se si menaxhohet arsimi, shëndetësia, projektet kapitale dhe marrëdhënia e qytetarëve dhe bizneseve me shtetin”, tha Demi, duke shtuar se administrata publike ka nevojë për modernizim të thellë.

Një tjetër shtyllë që, sipas tij, duhet të jetë prioritet është arsimi. Demi vlerësoi se ndryshimet teknologjike po e transformojnë tregun e punës dhe kërkojnë reforma të reja në sistemin arsimor.

“Bota po ndryshon aq shpejt saqë arsimi duhet të përshtatet me nevojat e reja, përndryshe do të mbesim prapa në përgatitjen e fuqisë punëtore”, theksoi ai.

Në këtë kuadër, Demi përmendi edhe inovacionin si element kyç për zhvillim ekonomik.

Ai vlerësoi pozitivisht nismat që synojnë eliminimin e barrierave administrative dhe mbështetjen e ideve të reja.

“Nëse diçka është bërë mirë në vitet e fundit, është përpjekja për të hequr barriera administrative dhe për të krijuar hapësirë për inovacion”, u shpreh Demi.

Sipas tij, fokusimi në digjitalizim, arsim dhe inovacion duhet të shkojë paralelisht me tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Demi theksoi se këto prioritete nuk janë zgjedhje politike, por domosdoshmëri zhvillimore.

“Këto janë vitet kur duhet të vendosen themelet për zhvillimin afatgjatë, sepse vonesat sot do të kushtojnë shumë më shtrenjtë nesër”, përfundoi ai. /Telegrafi/