Sulmuesi i Chelseat, Liam Delap, ka deklaruar se konkurrenca me bashkëlojtarin e tij, Joao Pedro, është shumë e shëndetshme dhe ndihmon ekipin të ecë përpara përpara fillimit të sezonit të ri.

“Qëllimi i të gjithëve është të sfidojnë, dhe mentaliteti midis djemve dhe stafit është të fitojmë çdo trofe që mundemi. E dimë që kemi cilësinë dhe mentalitetin për ta bërë këtë. Ky është qëllimi”, tha Delap.


Sulmuesi anglez shtoi se është i motivuar maksimalisht për të dhënë kontributin e tij në Londër.

“Jam shumë i emocionuar. Erdha këtu për një arsye: të luaj në ndeshje të mëdha dhe të garoj për trofe të mëdhenj. Kemi një skuadër të jashtëzakonshme dhe të gjithë janë të vendosur dhe të uritur për të dhënë më të mirën”, vazhdoi tutje anglezi.

Te dy, si Delap ashtu edhe Joao Pedro, u bashkuan me Chelsean gjatë afatit kalimtar veror të këtij viti dhe po shkëlqejnë me klubin londinez si në fazën përgatitore, ashtu edhe në Kupën e Botës për Klube, të cilën londinezët e fituan.

Delap tha se eksperienca e sezonit të kaluar e ka ndihmuar të rritet si lojtar. “Kam pasur një sezon të plotë duke luajtur në këtë ligë dhe kam mësuar shumë, përfshirë edhe si të përballoj situata të ndryshme. Duhet të përpiqem të sjell këtu gjithçka që kam mësuar dhe të jap më të mirën time.”

Ai theksoi se është plotësisht i gatshëm për sfidat që e presin. “Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe gati ta shijoj sezonin.”

Chelsea pritet të hyjë në sezonin e ri me ambicie të larta, duke synuar të garojë për çdo trofe të mundshëm në arenën vendore dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/

telegrafi sport app