Ai në një intervistë për “Dnevni Avaz”, ka thënë se e gjithë procedura kundër ish-komandantit të UÇK-së është një turp për gjithë zyrën e prokurorisë së Tribunalit të Hagës, për atë se ata janë liruar por për atë që e gjithë procedura është ndjekur ashtu siç nuk do të duhej.

Sipas tij, juristë të kualifikuar edhe para se të ngitej procedura ndaj Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij në Tribunalin e Hagës, i kanë sugjeruar kryeprokurores së atëhershme, Carla Del Ponte se nuk kishte prova dhe as dëshmi të mjaftueshme për ngritje të akuzës.


“Carla Del Ponte pas atij momenti ‘urdhëroi’ tre juristë të cilët nuk kanë përvojë si avokatë në Gjykatë dhe të cilët pas ngritjes së akuzës nuk kanë përfaqësuar rastin në gjykatë, në emër të prokurorisë”, ka thënë Nice.

Ai ka thënë se edhe përbrenda Tribunalit ka pasur vërejtje të hapura të cilat i janë drejtuar Del Pontes në lidhje me mangësitë e akuzës.

“Një jurist me përvojë dhe unë i patëm shkruar Del Pontes vetëm disa muaj para ngritjes së aktakuzës, duke e paralajmëruar se nuk mund të ngritë akuzë pa konsensusin e kolegjiumit të avokatëve, i cili është një lloj testi për qëndrueshmërinë e akuzës sipas sasisë dhe forcës së provave. Kjo në fakt ishte një praktikë ndërmjet avokatëve të prokurorisë në kohën e mandatit Louise Arbour, paraardhëses së Del Pontes”, ka thënë Nice.

“Ne i patëm sqaruar që testimi i akuzës është i nevojshëm në mënyrë që t’u mundësohej avokatëve të dëshmuar që të jepnin vërejtjet e tyre. Por, Del Ponte refuzoi”, ka thënë Nice. /Telegrafi/