LAJMI I FUNDIT:

Deklarata e Kuintit, thirrje për përshpejtimin e proceseve në Kosovë

Deklarata e Kuintit, thirrje për përshpejtimin e proceseve në Kosovë

Analistët politikë në Prishtinë, por edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, konsiderojnë se thirrjet e faktorit ndërkombëtar se nuk duhet të ketë vonesa për formimin e institucioneve të reja, janë normale dhe të rëndësishme.

Në deklaratën e ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, thuhet se qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre.


“Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, thuhet pos tjerash në deklaratë.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, mendon se është e panevojshme vonesa e krijimit të institucioneve të reja. Ai konsideron se nuk duhet të ketë asnjë arsye në zvarritjen e krijimit të institucioneve pasi që, sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve kanë treguar që ekzistojnë mundësi për ndërtimin e institucioneve.

Drejtoresha e organizatës Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Florina Duli, po ashtu konsideron se thirrjet e vendeve të Kuintit, përmes ambasadorëve të tyre në Prishtinë, janë normale dhe nuk duhet të konsiderohen si presion. Duli thotë se thirrjet e faktorit ndërkombëtar në Kosovë duhet të kuptohen si thirrje për përshpejtimin e proceseve në mënyrë konstruktive.

Vendet e Kuintit, përmes ambasadorëve të tyre në Prishtinë, kanë thënë se “nxisim partitë që e formojnë qeverinë e ardhshme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që të tërhiqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike”.

Në deklaratë po ashtu inkurajojnë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës që ta procedojnë sa më shpejt që është e mundshme, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova ka shumë probleme, me të cilat po ballafaqohet dhe ka nevojë që të ketë një Qeveri të plotë të zgjedhur për t’i trajtuar këto probleme.

“Ne besojmë se institucionet e Kosovës do t’i respektojnë rregullat, respektojnë Kushtetutën dhe procedurat në mënyrë që ta bëjnë qeverinë pa ndihmën tonë”, ka thënë ambasadori Delawie. /REL/