Deborra-Lee Furness ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për divorc nga ish-bashkëshorti i saj, aktori i njohur Hugh Jackman, thuajse dy vite pasi çifti kishin bërë publike ndarjen e tyre – raporton “DailyMail”.

Ajo ka dorëzuar dokumentet për divorc më 23 maj në Nju Jork, dhe sipas mediave, të gjitha çështjet kryesore lidhur me ndarjen janë diskutuar dhe dakorduar paraprakisht, në mënyrë konfidenciale. Tani mbetet vetëm që një gjykatës ta firmosë vendimin për ta bërë divorcin zyrtar.


Në dokumentet e dorëzuara nga avokatja e Deborra-s, Elena Karabatos, janë përfshirë marrëveshjet për vazhdimin e sigurimeve shëndetësore, pagesat për fëmijët dhe ndarja e pasurisë.

Deborra dhe Hugh, të cilët kanë dy fëmijë të adoptuar, kanë arritur një marrëveshje ku, sipas burimeve pranë çiftit, Deborra-Lee ka siguruar një “mbështetje të konsiderueshme financiare”.

“Është arritur një marrëveshje që e ka kënaqur Deborra-n, duke përfshirë një shumë të mirë në formë alimentacioni. Fillimisht kishte mosmarrëveshje rreth këtij aspekti financiar, por në fund ajo mori atë që besonte se i takonte. Të dy po dalin nga kjo situatë me siguri të plotë financiare. Nuk do të ketë dramë,” ka thënë një burim për Daily Mail.

Një tjetër burim ka shtuar se nuk ka pasur përplasje mes tyre: “Të gjitha detajet janë diskutuar më herët dhe janë zgjidhur, përfshirë alimentacionin, ndarjen e pasurisë dhe kujdesin për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ata janë miqësorë dhe të përkushtuar të jenë prindërit më të mirë të mundshëm”.

lad2 scaled

Po ashtu është përmendur se Hugh Jackman, i cili është përfolur për një lidhje të re me aktoren Sutton Foster pas ndarjes, po shikon drejt së ardhmes dhe nuk ndalet në të kaluarën.

Për rikujtim, Hugh Jackman dhe Deborra-Lee ishin të martuar për plot 27 vite. Në shtator të vitit 2023, ata publikuan një deklaratë të përbashkët ku njoftuan fundin e martesës:

“Ishim me fat që kaluam gati tre dekada së bashku si bashkëshortë në një martesë të bukur dhe plot dashuri. Tani rrugët tona po marrin drejtime të ndryshme dhe kemi vendosur të ndahemi për të vazhduar me zhvillimin tonë personal. Familja jonë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë përparësia jonë më e madhe. Në këtë kapitull të ri hyjmë me falënderim, dashuri dhe mirësi. Ju lutemi ta respektoni privatësinë tonë ndërsa përballemi me këtë tranzicion në jetën tonë,” thuhej në deklaratën e tyre për revistën People. /Telegrafi/