Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka publikuar fotografi nga Darka e Lamës, ku të pranishëm ishin edhe ambasadorë të huaj të akredituar në vend, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, familjarë të policit të rënë në detyrë në Banjskë, Afrim Bunjaku, e përfaqësues tjerë institucionalë.

E para e shtetit në një postim në Facebook shkruan se Darka e Lamës, nismë e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, është kujtesë e lidhjes sonë me rrënjët.


“Nga toka fillon gjithçka: jeta, bereqeti dhe begatia. Bashkë me miq, aleatë, përfaqësues të jetës institucionale e shoqërore, në Darkën e Lamës shpreha falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për secilin prej atyre që e mbajnë këtë vend gjallë e krenar çdo ditë.

Kjo Darkë e Lamës, e cila është nismë e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, është kujtesë e lidhjes sonë me rrënjët, me tokën që na mban e ushqen, me traditën që na mëson të jemi mirënjohës”, shkruan Osmani. /Telegrafi/